UT filloi me implementimin e projektit për mbrojtjen e ekosistemit të Malit Sharr
Universiteti i Tetovës filloi implementimin e aktivitetit të parë në suaza të projektit “Bashkëpunimi ndërkufitar për menaxhimin e mësimit të ekosistemit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Malin Sharr”...

Në këtë projekt të fituar nga IPA fondet e Bashkimit Evropian, partnerë janë Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Prishtinës, me çka universiteti ynë filloi me realizimin e aktivitetit të parë të paraparë në projekt, Sistemi Informativ Gjeografik, , program kyç për t’u futur në analet e këtij projekti.
Profesori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Nexhmedin Beadini tha se ideja dhe qëllimi i këtij projekti është që të ketë një bashkëpunim ndërkufitar dhe ndërrajonal, si dhe një bashkëpunim më të gjerë mes diversitetit të mendimeve, diversitetit të shkencës.
“Ne mendojmë që me këto aktivitete që do të pasojnë në të ardhmen do e plotësojmë gjithë atë kolorit shkencor dhe me aktivitetin tonë maksimal do bëjmë çmos që ky projekt të dal shumë i suksesshëm. Projekti ka të bëjë me biodiversitetin e masivit malor të Sharrit, është një projekt ndërkufitar dhe ka për qëllim që të lidhë mendime, ide, por edhe të lidhë shkencën mes dy shteteve fqinje, por jo vetëm kaq, që të lidhë edhe mendime dhe diversitete të rajonit”, tha Prof. dr. Nexhmedin Beadini.
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Prof. dr. Bexhet Mustafa tha se për të kuptuar si e kemi gjendjen në kuadër të masivit malor të Sharrit, patjetër duhet të posedojmë njohuri për Sistemin Informativ Gjeografik.
“Deri sot kemi zhvilluar aktivitete të ndryshme tejet të rëndësishme në kuadër të këtij projekti dhe komponenta më e rëndësishme në kuadër të këtij projekti është puna e përbashkët që bëhet me studentët e Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Prishtinës. Nuk do të ndalet vetëm me kaq, por do të ketë edhe takime të tjera, dhe jo vetëm në kuadër të programit GIS, por hulumtimet që do bëhen në kuadër të këtij projekti do të jenë edhe ato të aspektit të biodiversitetit dhe për të kuptuar biodiversitetin në tërësi dhe për të ditur si e kemi gjendjen në kuadër të masivit malor të Sharrit, patjetër do të duhet të dimë edhe për Sistemin Informativ Gjeografik”, tha profesori i Universitetit të Prishtinës, Prof. dr. Bexhet Mustafa.
Dita e dytë është më interesante për studentët dhe profesorët, pasi që është paraparë të bëhen matje në Kodrën e Diellit, nëpërmjet të aplikacionit Epi Collect, ku studentët do të përdorin telefonat e mençur për të pozicionuar koordinatat e objekteve më relevante në këtë masiv malor, si dhe monitorimin e biodiversitetit. Më pas, po të njëjtën ditë në hotelin “Scardus” organizohet një tryezë e rrumbullakët, ku profesorët dhe studentët do të diskutojnë rreth konservimit të natyrës në Malin Sharr, duke shtjelluar ide se si të ruhet biodiversiteti dhe ekosistemi në këtë rajon. Dita e tretë dhe e fundit për këtë aktivitet, vazhdon në laboratorin e UT-së, ku studentët do të kenë mundësi që të dhënat e grumbulluara në terren, t’i praktikojnë dhe përpunojnë në aplikacionin e GIS-it, në laboratorin kompjuterik. Në suaza të këtij projekti janë paraparë edhe aktivitete të tjera, të cilat do të implementohen përgjatë realizimit të këtij projekti, në dy vendet tona, respektivisht në Maqedoni dhe në Kosovë. Në suaza të projektit, dy profesorë nga Universiteti ynë do të udhëtojnë për trajnim në universitetin Ebersvalde të Gjermanisë, me qëllim të rikualifikimit të tyre në lëmin e konservimit të natyrës. Njëherit, do të përgatiten kurrikula të përbashkëta dhe bashkëkohore me UP-në dedikuar ekosistemit dhe konservimit të natyrës.”
Ky projekt do të zgjasë dy vjet, ndërsa aktivitetet do të organizohen në Tetovë dhe Prishtinë, ashtu edhe siç janë paraparë në kontratën e këtij projekti.
