Botë
ShBA, gara presidenciale në Ajoua, Cruz fiton ndaj Trump, Clinton mund Sanders
02.02.2016 14:49
Senatori i Teksasit, Ted Cruz, ka fituar garën mes kandidatëve republikanë në Ajoua, që ishte dhe vota e parë për zgjedhjet presidenciale të ShBA-ve të këtij viti...

Ai mori 28 për qind të votave të republikanëve, duke mundur rivalin e tij, Donald Tramp, por edhe Marco Rubio. Donald Trump uroi senatorin e Teksasit për fitoren dhe tha se ndihej “i nderuar” me vendin e dytë.
“Ajoua dha mesazhin se nominimet e republikanëve dhe presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara nuk do të zgjidhen nga mediat dhe as nga themelet e Uashingtonit. Kjo e sotmja është një fitore për konservatorët kurajozë në gjithë Ajouan dhe mbarë gjithë këtij kombi të madh”- deklaroi kandidati republikan për president të ShBA-ve, Ted Cruz.
Ndërkohë, në kampin demokrat, Hillary Clinton ka fituar me një avantazh tepër të ngushtë ndaj rivalit, Bernie Sanders. Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, dhe senatori i Vermontit, Bernie Sanders, i cili e përshkruan veten si socialist demokrat, ruajtën një rezultat pothuajse të barabartë, 49.8% me 49.6%.
“Unë e di që ne mund ta bëjmë sistemin tonë arsimor të funksionojë për çdo fëmijë njësoj, veçanërisht për ata që nuk kanë avantazhe në jetë. E di që mund të mbrojmë të drejtat e grave, të popullatës gei, të votës, të emigrantëve, të punëtorëve. Këtë mund ta bëjmë duke fituar votat tuaja për në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët duhet të jenë të bashkuar edhe përkundër kësaj gare. Duhet të bashkohemi kundër kandidatëve dhe vizionit republikan, i cili mund ta ndajë vendin tonë dhe ne”- tha kandidatja e demokratëve për president të ShBA-ve, Hilari Clinton.
Rezultatet e votimeve në Ajoua ofrojnë provën e parë lidhur me atë se çfarë mendojnë votuesit për kandidatët pas një viti fushatë të ashpër dhe hamendjesh të shumta. Votimi i radhës do të zhvillohet në shtetin Nju Hempshër, më 9 shkurt.
GAMEND REXHEPI
