Maqedoni
Zgjedhjet e 24 prillit, Ahmeti: Me zgjedhjet i jepet fund krizës politike
02.02.2016 15:38
BDI mbetet e angazhuar në respektimin e Marrëveshjes së Përzhinës të nënshkruar midis katër partive politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill...

Për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, vetëm në këtë mënyrë do të tejkalohej kriza politike. Shtyrja e zgjedhjeve më 29 maj nga VMRO-DPMNE, ashtu siç spekulohet në media, sipas Ahmetit nuk është e mundur pa dakordim të katër partive politike.
“Për t’u ndërruar data sigurisht që duhet përsëri një vendim konsensual i të gjitha partive politike në vend. Ne kemi bërë arsyet tona se pse nuk duhet të bisedohet dhe pse nuk duhet të hapet dhe të rinegociohet marrëveshja e arritur në dy qershor dhe 15 korrik. Ne duam sa më shpejtë t’i jepet fund kësaj amullie, kësaj agonie, këtij ngërçi politik që e ka përfshirë vendin. Është kërkesë e pjesës dërmuese të qytetarëve dhe pjesës dërmuese të investitorëve që sa më parë krizës t’i jepet fund”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti ka komentuar edhe paralajmërimin e liderit të PDSh-së, Menduh Thaçit, për braktisje të bisedimeve pasi në to nuk është shtruar asnjë çështje shqiptare me faj të BDI-së. Sipas Ahmetit, në takime janë shqyrtuar të gjitha çështjet me interes të përbashkët për daljen nga kriza. Ahmeti nuk beson se PDSh do t’i braktis bisedimet.
“Unë nuk mendoj që forcat politike nënshkruese të marrëveshjes do të braktisin atë marrëveshje të cilën e kanë dakorduar bashkë, por të gjitha forcat politike nënshkruese do ta zbatojnë atë marrëveshje sepse është e dobishme për të gjithë ne”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, komentet mbi situatën politike i ka bërë pas takimit me zëvendëspresidentin e IRIT, Tomas Garet, dhe drejtorin e IRIT për Evropë, Jan Surocak. Gjatë takimit, Ahmeti ka informuar udhëheqësit e IRIT për rëndësinë e mediave të lira, si dhe ndihma që duhet dhënë KShZ-së për realizimin e zgjedhjeve demokratike.
MERAL ISMAILI
