Maqedoni
Avokati i popullit, Memeti: Institucionet po i injorojnë sugjerimet
02.02.2016 15:55
Rekomandimet që i jep Avokati i Popullit hasin në vesh të shurdhër nga ana e institucioneve...

Një ankesë e këtillë vjen nga vet avokati i popullit, Ixhet Memeti, i cili fajëson institucionet se nuk i marrin parasysh sugjerimet që i jep ky institucion pas detektimit të problemeve për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në Maqedoni, si në arsim, vendet e privimit nga liria, apo fëmijët në rrugë.
“Vijmë në përfundim se bëhen hulumtime të mirëfillta, por ata nuk kanë efekt, organet ngelin të shurdha ndaj atyre. Pra, i pranojnë si të tilla dhe nuk ndërmarrin masa për t’i tejkaluar problemet. Sikur peshon ajo se këta institucione të cilat i detektojnë gjendjet sikur janë kundër institucioneve. Nuk është e vërtetë, ne detektojmë gjendje të këqija dhe kërkojmë përmirësim. Me këtë u ndihmojmë organeve që gjendjet t’i përmirësojnë”- tha avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Ky problem mund të zgjidhet vetëm me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit, thotë Memeti, duke theksuar nevojën për ndërtimin e kritereve më rigoroze që do të detyronin institucionet të komunikojnë me avokatin e popullit dhe të mos e pengojnë atë në punë.
“Besoj se rekomandimet kryesore, siç janë ndryshimi i Ligjit të Avokatit të Popullit, dhënia e mjeteve financiare atij dhe përmirësimi i resurseve njerëzore në institucionin e Avokatit të Popullit, mund t’u ndihmojë shumë qytetarëve në RM dhe vet RM-së, por për fat të keq institucioni i Avokatit të Popullit haset në bllokada të ndryshme”- tha Memeti.
Këto komente avokati i popullit i bëri gjatë debatit në kuadër të tuining projektit me temë “Promovimi i kompetencave dhe përforcimi i kapacitetit institucional të Avokatit të Popullit”, me ç’rast Memti u ankua edhe për moslejimin e punësimeve të reja edhe kur të punësuarit pensionohen, duke bërë që shumë segmente të saj të shuhen.
Ai në këtë kontekst përmendi shuarjen e segmentit për parandalimin e torturës, pasi, siç tha ai, nuk ka asnjë të punësuar.
SANIJE DURAKU
