Maqedoni
Www.delete me.mk, ju mbron nga keqpërdorimi i të dhënave personale
02.02.2016 16:01
Www. delete me.mk është ueb faqja e cila mundëson mbrojtje dhe mbështetje 24 orë të qytetarëve nga keqpërdorimet e të dhënave personale në rrjetet sociale...

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Mbretëria e Norvegjisë, të cilat e lëshuan në përdorim këtë risi, shpresojnë shumë se kjo do t’i motivojë qytetarët të kërkojnë mbrojtje dhe do të përmirësojë gjendjen me keqpërdorimet e shpeshta të të dhënave personale të tyre.
“Promovimi i kësaj faqe është shumë me rëndësi për Maqedoninë, sepse tani më qytetarët do të mund t’i drejtohen dikujt për këto probleme. Ata do të kenë mundësi të kenë mbështetje, mbrojtje dhe konsultim për atë se çka duhet bërë kur të dhënat e tyre personale do të keqpërdoren në rrjetet sociale”- deklaroi komisari për mbrojtjen e të dhënave personale të Mbretërisë norvegjeze, Bjorn Erik Ton.
Delete me.mk do të punojë në atë mënyrë që ankesat e qytetarëve do t’i drejtojnë tek përfaqësuesit e kompanive, ku është konstatuar më herët keqpërdorimi i të dhënave. Në rast se ata nuk marrin masa urgjente, përfaqësuesit e delete.mk do të kërkojnë mbylljen e rrjeteve sociale. Për këtë arsye në Shkup u organizua edhe forumi i parë vjetor për mbrojtjen e të dhënave personale për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ka për qëllim të vetëdijësojë vendetet e rajonit për këtë dukuri negative.
“25 institucione shtetërore në bazë ditore shkëmbejnë mbi 1 milion informacione me të dhënat personale të qytetarëve, gjë e cila kërkon standarde të larta që do të garantojnë sigurinë e të dhënave”- tha ministrja e Shoqërisë Informatike, Marta Arsovska-Tomovska.
“Fakt është se teknologjia e bën të veten, por njëkohësisht është e vërtetë se teknologjia është ajo që na bashkon këtu. Shpresoj se forumi vjetor për mbrojtjen e të dhënave personale për vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë edhe më tej si traditë e cila do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes në fjalë”- theksoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Goran Trajkovski.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Trajkovski, nuk deshi të sqarojë nëse ky dikaster mundet të veprojë dhe të mbrojë identitetin dhe të dhënat personale të qytetarëve të cilët u përmendën në aferën e përgjimeve.
REXHEP QAMILI
