Maqedoni
“Eko Guerilla”: Pas mbylljes së “Jugohromit” ulet ndotja për 40%
02.02.2016 16:10
Pas mbylljes së kompanisë “Jugohrom”, ndotja e ajrit në Tetovë është ulur për 40%...

Këto të dhëna i publikoi Organizata Joqeveritare “Eko Guerilla”, bazuar në një analizë të saj, duke i krahasuar të dhënat e janarit të këtij viti me ato të janarit të vitit të kaluar.
“Në Tetovë janari i vitit 2016 rezulton të jetë për 40% më i pastër nga janari i vitit 2015. Për të parë nëse ky trend pozitiv ka të bëjë me të gjithë vendin apo vetëm me Tetovën, kemi bërë të njëjtën analizë edhe tepër komunën Qendër në Shkup, ku janari i vitit 2016 rezulton të jetë vetëm 7% më i pastër nga janari i vitit 2015”- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi.
Por, me gjithë uljen e ndotjes për 40% në Tetovë me rrethinë, “Eko Guerilla" thotë se niveli i ndotjes nuk është ulur në nivelin e duhur, prandaj propozon marrjen e disa masave.
“Kontrollin më të rreptë të të gjitha kapaciteteve industriale, të mëdha, të mesme ose të vogla nga ana e inspektorateve ekologjike; Zgjidhja e përhershme dhe e menjëhershme e deponisë në Tetovë; Pastrimi dhe larja e rrugëve të Tetovës nga pluhuri që po ashtu ndikon në ngritjen e grimcave PM10 të ajrit”- tha kryetari i Lëvizjes “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi.
Po ashtu pjesë e rekomandimeve të “Eko Guerillës” janë edhe aplikimi i masave për veturat që nuk plotësojnë standardet ekologjike, organizimi i transportit publik me standarde ekologjike, ndërtimi i rrjetit të gazit natyror në Pollog, vënia nën kontroll e invazionit ndërtimor, si dhe shtimi dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra në Tetovë.
GYLTENE SINANI
