Maqedoni

Michael Rot: Maqedonia të del sa më parë nga kriza politike

02.02.2016 16:23

Kriza politike në Maqedoni tashmë ka shkaktuar kosto të larta dhe nga kjo gjendje duhet të dilet sa më parë...

Kështu deklaroi sot sekretari shtetëror gjerman, Michael Rot, në debatin me studentët e fakultetit juridik. Ekziston marrëveshje politike në tavolinë dhe për këtë pritjet tona janë të qarta, theksoi Rot.
 
Sipas tij, implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformat e nevojshme janë larg prej aty ku duhet të jenë. Puna e prokurores speciale disa herë është devalvuar, ndërkaq reformat në media aspak nuk kanë filluar dhe po ashtu pastrimi i listës zgjedhore është dashur të fillojë muaj më parë, vlerësoi zyrtari gjerman, Rot.
 
“Sipas këndvështrimit tim, qeveria nuk i ka përmbushur dy çështje shumë të rëndësishme: e para është regjistrimi i votuesve dhe e dyta është situata e mediave. Tani bëni detyrat e juaja të shtëpisë! Kjo është porosia ime. Më 19 ose 20 shkurt jemi duke pritur vlerësimin me qëllim të marrjes së vendimit nëse ka gjasa që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen më 24 prill. Nuk diskutojmë vetëm për zgjedhje, por për zgjedhje të lira dhe korrekte”- deklaroi sekretari shtetëror gjerman, Michael Rot.
 
Gjatë qëndrimit dyditor në vend, sekretari shtetëror, Rot, dje dhe sot është takuar me përfaqësues politik dhe me shoqërinë civile.
 
Nga BDI njoftojnë se me zyrtarin gjerman kanë diskutuan rreth çështjeve që mbeten për t’u zbatuar nga Marrëveshja e Përzhinës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe për integrimin euroatlantik dhe çështjen emrit, ndërkaq Ahmeti ka siguruar zyrtarin gjerman se BDI angazhohet për implementimin e marrëveshjes në tërësi, duke përfshirë këtu edhe respektimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve me 24 prill. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU