Maqedoni
Takohen LR-PDSh, RDK dhe LSDM, Sela, Memedi dhe Zaev: Jemi për zgjedhje me standarde
02.02.2016 16:34
Zhvillimet aktuale në vend, procesi politik, duke vënë theksin në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme kanë qenë temat për të cilat kanë folur kryetarët e LR-PDSh-së dhe RDK-së, Ziadin Sela dhe Vesel Memedi...

Zhvillimet aktuale në vend, procesi politik, duke vënë theksin në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme kanë qenë temat për të cilat kanë folur kryetarët e LR-PDSh-së dhe RDK-së, Ziadin Sela dhe Vesel Memedi, gjatë takimit me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Pas takimit, bashkëbiseduesit deklaruan se për të nxjerrë vendin nga kriza politikë është e domosdoshme të organizohen zgjedhje me standarde demokratike.
“Jemi për zgjedhje me standarde dhe kjo është pika e përbashkët e të gjithë partive politike të cilat janë opozitare të mirëfillta dhe në emër të kësaj ne do të japim kontributin tonë si aleancë për shqiptarët, por edhe si LR-PDSh, në mënyrë që legjitimiteti si një ndër pikënisjet e zgjedhjes së problemeve brenda një shoqërie të jetë i pastër dhe i pakontestueshëm nga asnjë palë”- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
“Qëndrimi ynë si opozitë ka qenë shumë i fuqishëm që më herët. Pa zgjidhjen e çështjeve kruciale në vend nuk do të ketë zgjedhje më 24 prill. Është shumë e rëndësishme që së pari të fuqizohen mjaftueshëm institucionet e shtetit dhe vetëm pas fuqizimit të mjaftueshëm të institucioneve të shtetit mund të flasim për zgjedhje fer dhe korrekte”- deklaroi kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
“Më vjen mirë që bashkërisht kultivojmë qëndrimin imperativ, se për ardhmërinë e Maqedonisë janë zgjedhjet fer, të rregullta, të lira dhe demokratike, ndërsa kjo nuk është e mundur pa pastrimin e regjistrit zgjedhor dhe pa hapësirë të mjaftueshme mediatike për garë të barabartë midis të gjithë konkurruesve”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Të pyetur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor, liderët e partive politike, Sela, Memedi dhe Zaev, deklaruan se në takim kanë prezantuar vetëm qëndrimet e tyre rreth organizimit të zgjedhjeve, ndërsa nuk e kanë diskutuar mënyrën e bashkëpunimit midis tyre.
Nga ana tjetër, Zaev tha se një gjë e tillë ndonëse nuk është diskutuar, por, sipas tij, të gjitha mundësitë për të mirën e Maqedonisë janë të hapura.
NAIM RAMADANI
