Futboll

Mbyllet merkato në Europë, kursehen klubet e mëdha

02.02.2016 16:35

Të gjithë prisnin ndonjë goditje të madhe në orët e fundit, por në ndryshim nga vitet e kaluara këtë herë merkato e dimrit në Europë u mbyll pa surpriza...

Nga njëra anë rregullat e vendosura nga Uefa në lidhje me fair play-in financiar ndërsa nga ana tjetër shpenzimet e mëdha të kryera gjatë verës, detyruan klubet e mëdha europiane të tregoheshin të kursyera.
 
Në Spanjë Reali i Madridit dhe Barcelona nuk kryen asnjë lëvizje. Barca në fakt blerjet e reja i kishte në shtëpi pasi në fillim të Janarit i përfundoi pezullimi i marrë nga Fifa dhe Arda Turan e Alex Vidal do të jenë  vlera e shtuar e skuadrës së Luis Enriques për pjesën e dytë të sezonit. Te Reali ruajtën grupin duke mos lejuar largimin e një lojtari shumë të rëndësishëm si Isco.
 
Dy goditje kreu Atletico e Madridit që mori nga Celta Vigo mesfushorin Augusto Fernandez ndërsa pjesë e Los Colchoneros u bë edhe argjentinasi Matias Kranevitter të cilin klubi bardhkuq e kishte blerë nga River Plate që në verën e kaluar.
 
Valencia afroi në formë huazimi rusin Cheryshev nga Reali dhe brazilianin Siqueria ndërkohë që goditje interesante bëri edhe Levante që mori nga Fiorentina Giusseppe Rossin. Nga Sevilla u largua Immobile që përfundoi te Torino, ndërkohë që ish lojtari i Barcelonës, Martin Montoya u transferua nga Interi te Real Betis.
 
Në Itali dy goditjet më të mëdha i realiozi Roma që mori Stephan El Shaarawy-in dhe Diego Perottin nga Genoa. Interi largoi 5 lojtarë në këtë merkato përfshirë këtu kolumbianin Guarin, serbin Vidic dhe ish kapitenin Andrea Ranocchia, te zikaltërit u afrua vetëm sulmuesi italo-brazilian Eder.
 
Milani federoi Kevin Prince Boateng, ndërsa Napoli mori nga Atalanta mesfushorin e talentuar Grassi dhe nga Sampdoria mbrojtësin Regini. Juventusi nuk kreu asnjë lëvizje ndërkohë që Fiorentina ishte një nga skuadrat më aktive pasi shtoi rradhët me tre futbollistë,sic janë Mauro Zarate, ishi i Barcelonës Christian Tello dhe mbrojtësi Benalouane.
 
Në Gjermani Bayerni i detyruar nga dëmtimet e shumta që kanë prekur repartin e mbrojtjes, mori në orët e fundit të merkatos ish futbollistin e kombëtares Serdar Tasci në formë huazimi nga Spartaku i Moskës. Nuk pati lëvizje përsa i përket merkatos në hyrje te Dortmundi.
 
U largua ndërkohë nga Borussia, Adanan Januzaj i cili u rikthye te Manchester United pas huazimit 6 mujor te verdhezinjtë.
 
Zero goditje bëri edhe Paris Saint Germain që ruajti të paprekur grupin. Monaco që pozicionohet e dyta në Ligue 1, largoi El Sharaayin dhe Lopes por ndërkohë bëri të mundur rikthimin në Europë të brazilianit Wagner Love.
 
Shpenzimet më të mëdha edhe në këtë merkato i bënë klubet angleze. Por në ndryshim nga vera ku mbretëresha e merkatos ishte Manchester City, këtë herë ishin skuadrat që luftojnë për mbijetesë në Premier League ajo që shpenzuan më shumë. Në pritje edhe të trajnerit të ri Pep Guardiola, Manchester City, nuk bëri asnjë goditje, njësoj si edhe Manchester United që vetëm riktheu në ekip Adanan Januzajn.
 
Chelsea edhe pse përfitoi 25 milionë Paund nga shitja e Ramires në Kinë te Jiangsu, bëri dy goditje loë-cost sic ishin ato të brazilianit Pato që u transferua te Blutë e Londrës në formë huazimi nga Corinthians dhe amerikanit Matt Miazga. Arsenali mori vetëm egjiptianin Eleny nga Baseli ndërsa Liverpooli mbrojtësin Caulker nga Qpr.
 
Klubi që shpenzoi më shumë në merkaton e dimrit ishte Newcastle United që për një total prej 28.5 milionë Paund, afroi në skuadër lojtarë të tillë si Shelvey, Townsend, Saivet dhe Doumbia.
 
Ndërkohë që blerjen më të shtrenjtë e realizoi Stoke City që transferoi nga Porto për 24 milionë Euro mesfushorin Gianelli Imbula, me 23-vjecarin belg që u shndërrua kështu në transferimin më të kushtueshëm në historinë e klubit nga Britania Stadium.