Futboll

Afganistan, fëmija 5-vjeçar do të takojë Messin

02.02.2016 16:42

Pak ditë më parë, fotoja e fëmijës afgan me fanellën e improvizuar të Lionel Messit bëri xhiron e botës dhe pasqyrimi i gjerë në media ka vënë në lëvizje autoritetet afgane...

Fotot ku Martaza Ahmadi vishte një fanellë të ndërtuar me qese plastike mund ta ndihmojnë 5-vjeçarin që të takohet me idhullin e tij. Federata Afgane e Futbollit ka nisur punën për ta dërguar fëmijën në Barcelonë në mënyrë që ai të takohet me argjentinasin të cilin e njeh vetëm nëpërmjet magjive që dhuron mijëra km larg.
 
Një moment prekës që ka ngjallur interesin e mediave në Kabul, të cilat e kanë filmuar 5-vjeçarin në stadiumin kombëtar të Afganistanit. Sipas federatës, ambasada spanjolle është e gatshme të pajisë me vizë fëmijën, ndërsa palët janë në bisedime me Barcelonën pasi është klubi që duhet të ndezë dritën jeshile për takimin mes vogëlushit dhe yllit argjentinas.
 
Fotot e 5-vjeçarit duke luajtur në provincën e Ghazit tregonin fëmijën me fanellën e improvizuar me qese plastike. Në fanellën e Argjentinës ishte shënuar madje dhe emri i Messit dhe numri 10. Murtaza ka lindur në një familje të varfër që jeton në distriktin Joghori.