Maqedoni
Debat mbi zhvillimet politike, analistët: Gruevski e ndryshoi kursin politik
02.02.2016 17:05
Nga liderë në proceset integruese në rajon nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit, Maqedonia ndryshoi kursin politik dhe u fut në një rrugë të pashpresë...
Ky ishte vlerësimi i sotëm i profesorëve universitarë dhe analistëve në debatin mbi çështjet politike në vend dhe në rajon të organizuar nga Qendra për Paqe dhe Komunikim. Po ashtu në debat u theksua se Maqedonia duhet të ndërtohet në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ia ktheu dinjitetin shqiptarëve të Maqedonisë.
“Maqedonia, mund të themi, ishte lider në Ballkan, pasi ishte shteti i parë në Ballkan që nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, kështu që ne sot ndoshta do të ishim anëtare të Bashkimit Evropian, por një gjë e tillë u ndalua duke u kthyer kursi politik që ne sot e përjetojmë si qytetarë të Maqedonisë, si profesorë, si studentë, ndërrimin e kursit politik e ka bërë z. Gruevski si kryeministër, i cili e ktheu kursin politik nga një Maqedoni e cila duhet të ndërtohet në shtyllat në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të viti 2001, sepse në 2001 morën pjesë shumë njerëz dhe ia kthyen dinjitetin shqiptarëve”- deklaroi profesori, Ylber Sela.
“Pra, Maqedoni është një shtet në tranzicion, siç janë në tranzicion edhe shtetet tjera ballkanike, por kjo nuk është një arsye e logjikshme që tranzicioni i Maqedonisë zgjat pa fund dhe mund të festojmë disa jubile. Ku ishte Shqipëria në vitet e 90-ta, me siguri përgjigjja do të jetë se ishte diku 30 vjet pas Maqedonisë,. Bullgaria po ashtu ishte rreth 20 vite pas, Kosova ishte ende nën okupim, as që bisedohej për çlirimin e saj”- tha eksperti politik, Mersel Bilalli.
“Për të kuptuar politikat rajonale dhe botërore të shekullit XXI nevojitet informacion i saktë, që gjithmonë ne shqiptarëve na mungon. Një komb konsiderohet i sigurt kur nuk ekziston asnjë rrezik që do të detyrojë atë të sakrifikojë vlerat e tij, nëse do të shmangte luftën, dhe është i aftë nëse sfidohet në një luftë të tillë, t’i mbajë ata nëpërmjet fitores. Fatkeqësisht, shqiptarët deri më tani të gjitha të drejtat kolektive që kanë fituar i humbim nga individë të papërgjegjshëm”- theksoi profesori, Bashkim Selmani.
Ky ishte debati i parë i organizuar nga Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në këtë temë.
VISAR SADIKI
