Maqedoni
LSDM pranon metodologjinë për listën zgjedhore, KShZ mund të nisë me pastrimin
02.02.2016 18:01
KShZ e ka marrë lejen e katër partive politike për të filluar me pastrimin e listës zgjedhore...

Pasi LSDM dhe PDSh kanë nënshkruar zyrtarisht metodologjinë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor që lista zgjedhore të pastrohet me anë të kryqëzimit të të dhënave nga disa institucione, KShZ do të mund të nis me pastrimin e regjistrit të zgjedhësve.
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se me nënshkrimin e metodologjisë për pastrimin e listës zgjedhore partia e tij dëshmon se nuk dëshiron të jetë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve, por nuk heq dorë nga kërkesa për kontrollin e listës zgjedhore.
“Ne nuk kemi ndërmend të heqim dorë nga asgjë. Këtë e bëjmë në mënyrë konstruktive, fleksibile dhe këtë metodë do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Metodologjia i parashikon të gjitha operacionet të domosdoshme për pastrimin e listës zgjedhore, kontrollin statistikor, listat zgjedhore nga viti 2009 e këndej, kryqëzimin e të dhënave nga 10 institucionet shtetërore dhe kontrollin në terren për rastet e dyshimta”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Por, Zaev mbetet në qëndrimin se plotësimi i kushteve për zgjedhje demokratike më 24 prill është i pamundur, sepse deri atëherë është e pamundur të bëhet pastrimi i listës zgjedhore dhe të krijohen kushte për prezentim të barabartë të partive në media.
“MRO-DPMNE qartë dëshmon se nuk e pranon propozimin e bashkësisë ndërkombëtare për reforma në media”, tha Zaev.
Por, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, vlerëson se LSDM me vetëdije e ka shtyrë përkrahjen për metodologjinë e pastrimit të listës zgjedhore.
“Tani për njëherë dha mbështetje për metodologjinë. Pse e stërzgjaste punën? Pse nuk e jepte atë mbështetje më herët? Kujt tek ata iu duheshin më tepër ditë dhe javë, që të fitojë në kohë, që të afrohet koha në të cilën do të shpresojnë se do të ketë më tepër argumente, që të thonë se nuk ka kohë të mjaftueshme për realizim”- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
KShZ pritet ta miratojë metodologjinë e pranuar tanimë nga të katër partitë, ndërsa pastrimi i listës zgjedhore do të realizohet në disa faza, përfshirë edhe kryqëzimin e të dhënave të 10 institucioneve dhe kontrollin në teren të rasteve të dyshimta.
SHPËTIMI NUREDINI
