Maqedoni

Maqedonia dhe Bullgaria, ofertë të përbashkët turistike për vendet e treta

02.02.2016 18:07

Përmirësimi i turizmit të Maqedonisë dhe përgatitja e shërbimeve cilësore turistike, të cilat do të tërheqin turistë nga vendet e treta...

Përmirësimi i turizmit të Maqedonisë dhe përgatitja e shërbimeve cilësore turistike, të cilat do të tërheqin turistë nga vendet e treta, ishin temë e takimit të ministrit të Ekonomisë, Bekim Nezirit, dhe ministres bullgare të Turizmit, Nikolina Angelkova. Maqedoninë vjet e vizituan 25 mijë turistë bullgarë, ndërsa në Bullgari kanë shkuar 470 mijë shtetas të Maqedonisë. Ministri Neziri theksoi se po punohet për tejkalimin e dallimit në këto shifra.
 
“Nëse bëhet një krahasim me vizitat e turistëve nga Maqedonia në Republikën e Bullgarisë, ky numër është shumë më i vogël, andaj biseduam më detajisht se çka duhet të ndërmarrim si hapa për ta përmirësuar këtë numër dhe çfarë duhet të bëjmë që ta ruajmë ngritjen e turizmit, i cili është në ngritje që nga viti 2011. Erdhëm në përfundim se duhet të formojmë grupe punuese, të cilët në afat prej 15 ditësh do të na japin një plan aksionar, që do të ketë efekt pozitiv për ngritjen e turistëve në të dy vendet”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Maqedonia dhe Bullgaria, por edhe vendet tjera të rajonit, do të mbajnë mbledhje, ku do të diskutojnë mbi pakot e përbashkëta turistike që do i ofrohen turistëve nga e mbarë bota. 
 
“Në takim kishte edhe përfaqësues të sektorit të turizmit, të cilët theksuan dëshirën që të punojnë në përgatitjen e shërbimeve cilësore turistike, që do të tërheqin turistë nga vendet e treta dhe nga e gjithë bota”- tha ministrja bullgare e Turizmit, Nikolina Angelkova.
 
Në takim morën pjesë edhe tetë kryetarë komune nga komunat më atraktive turistike të Maqedonisë, si dhe përfaqësues të ekonomisë turistike dhe kryetarët e komunave: Sandanski, Smoljan, Blagoevgrad, Çepelare dhe Bansko.
 
ERSAN PAJAZITI