Mbështetje për Maqedoninë në takimet e Veljanovskit në SHBA

03.02.2016 09:39

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Trajko Veljanovski i cili qëndron në Uashington, në Mëngjesin e 64-të të lutjes, realizoi takim me disa anëtarë të Kongresit të SHBA-së...

Siç kumtoi Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, në takimin me kongresmenin Bil Paskrel u shpreh kënaqësia nga miqësia e gjatë që kongresmeni e ka me Republikën e Maqedonisë dhe e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kongresmeni Paskrel shprehu përkushtimin dhe mbështetjen e tij ndaj Republikës së Maqedonisë për marrjen sa më të shpejtë të anëtarësimit në Aleancën e NATO-s. Kongresmeni shprehu interes për gjendjen poltike momentale në Republikën e Maqedonisë.

Kryetari Veljanovski e informoi për krizën politike me të cilën ballafaqohet vendi në periudhën e kaluar dhe për marrëveshjen e arritur politike mes partive. Gjithashtu, Veljanovski theksoi se për Maqedoninë është veçanërisht e rëndësishme të zbatohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi populli është gjykatësi më i mirë, ndërsa vendimin e tyre duhet ta respektojnë të gjithë.

Siç shkruhet në kumtesë, një nga temat e bisedimit ishte edhe kriza e refugjatëve dhe pasojat që dalin nga ajo. Kongresmeni Paskrel theksoi se nuk është hera e parë që populli i Maqedonisë ballafaqohet me një problem të këtillë në territorin e vet dhe se në të kaluarën, gjatë vizitës në Republikën e Maqedonisë, ka qenë dëshmitar i vullnetit të mirë të qytetarëve të Maqedonisë për t'i ndihmuar tjetrit kur ka pasur nevojë.

Në fund të takimit kryetari i Kuvendit, Veljanoski i ka bërë ftesë kongresmenit Paskrel që ta vizitojë Republikën e Maqedonisë, me çka do të kishte mundësi nga afër të njihet me ngjarjet aktuale në vend.

Veljanoski realizoi takim edhe me kngresmenen, Kendis Miler, e cila është kryesuese e Grupit të Kongresit për miqësi me Republikën e Maqedonisë. Ajo në takim theksoi se vjen nga rajoni, ku jeton një numër i madh i të ardhurve nga Maqedonia dhe mund të konstatojë se bëhet fjalë për njerëz shumë bujarë, të mirëintegruar dhe të kyçur në numrin më të madh të ngjarjeve bamirëse.

Si mike e Republikës së Maqedonisë, Miler e potencoi angazhimin e saj që t'i ndihmohet shtetit tonë që të bëhet anëtare e Aleancës së NATO-s. Për këtë qëllim, në Kongres është ngritur nismë për miratimin e Rezolutës për hyrje të Maqedonisë në NATO dhe tash për tash ka mbështetje nga 35 kongresmenë.

Veljanoski u falenderua për mbështetjen e deritanishme, të cilën Republika e Maqedonisë e merr nga SHBA-ja, të cilat, siç theksohet, janë miku ynë i dëshmuar dhe shfaqi shpresë se në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë këtë vit, SHBA-ja do të ndihmojë që sërish të hapet çështja për zgjerimin e Aleancës.

Në takimin e kryetarit të Kuvendit me kryesuesin e Komitetit për partneritet demokratik të Dhomës përfaqësuese të SHBA-së, Piter Roskam u shpreh kënaqësia nga bashkëpunimi i suksesshëm deri më tani i Komitetit me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Bashkëbiseduesit biseduan edhe për problemet aktuale me të cilët përballet Republika e Maqedonisë, por edhe Evropa, në lidhje me krizën e migrimit. Veljanoski theksoi se pritet që këtë pranverë të ketë rritje të valës së refugjatëve. Për këto arsye, bashkimi evropian dëshiron zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike në Republikën e Maqedonisë me zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe me këtë edhe të fitohet Qeveri e cila do të mundet me përkushtim të punojë në përballjen me sfidat dhe rreziqet të cilat i bart kriza migruese. Deri në këtë moment, migrantët e shfrytëzojnë Republikën e Maqedonisë si zonë tranzit të rrugës së tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore, por nëse ndodh mbyllja e kufijve të tyre, atëherë Republika e Maqedonisë dhe vendet e rajonit do të përballen me problem serioz. Bashkëbiseduesit konstatuan se ekziston një mundësi nga infiltrimi i terroristëve në grupet e refugjatëve të cilët janë rrezik si për Republikën e Maqedonisë ashtu edhe për tërë Evropën.

Në takim, kongresmeni Roskam e informoi Veljanoskin se ka interes nga disa kongresmenë për ta vizituar Maqedoninë me çka në mënyrë shtesë do të përparojnë marrëdhëniet midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Kongresit të SHBA-së.

Veljanoski realizoi takim edhe me bashkëkryesuesin e Komitetit për partneritet demokratik të Dhomës përfaqësuese të SHBA-së, Dejvid Prajs, në të cilin u theksua bashkëpunimi i suksesshëm shumëvjeçar dhe u shpreh transparenca për përparimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Bashkëbiseduesit biseduan për situatën momentale politike në Republikën e Maqedonisë, si dhe për sfidat të cilat me vete i mban edhe kriza e migrantëve.

Në kuadër të aktiviteteve në SHBA, Veljanoski u takua edhe me ish-senatorin Xhim DeMint, i cili është kryetar i Heritixh fondacionit.

Në takimin morën pjesë disa përfaqësues të Fondacionit të cilët u interesuan për gjendjet në Republikën e Maqedonisë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen. DeMint shprehu kënaqësi që Republika e Maqedonisë çdo vit ka indeks më të lartë të lirisë ekonomike. Veljanoski theksoi se prosperiteti ekonomik i shtetit është prioritet themelor i kësaj Qeverie të Republikës së Maqedonisë e cila vazhdimisht bën përpjekje për përmirësim të klimës ekonomike, tërheqje të investimeve të drejtëpërdrejta të huaja dhe ulje të papunësisë. Për këtë arsye, edhe krahas krizës politike Republika e Maqedonisë ka përparim të mirë ekonomik i cili do të ishte edhe më i madh në qoftë se kjo më shpejt tejkalohet dhe stabilizohen gjendjet në shtet.

Të pranishmit e potencuan edhe ndikimin negativ të cilin e ka kriza e migrantëve ndaj ekonomisë së Republikës së Maqedonisë dhe problemet e mundshme në qoftë se vjen deri në eskalimin e saj.

Në takim Vlejanoski edhe një herë konfirmoi se anëtarësimi në Aleancën e NATO-s është prioriteti më i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë, ndërsa DeMint potencoi se Fondacioni Heritixh edhe në të ardhmen do ta mbështesë shtetin tonë në realizimin e qëllimeve strategjike. (mia.mk)