Poroshenko: Është rritur rreziku për luftë Ukrainë-Rusi
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, deklaroi se rreziku i luftës së hapur ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë tani është më i madh se para një viti...

Në një intervistë të publikuar sot në gazetën gjermane, “Bild”, Poroshenko tha se Rusia “nuk e ka implementuar asnjë pikë të vetme” të Marrëveshjes së Minskut për armëpushim dhe planin paqësor për përfundimin e luftës në pjesën lindore të Ukrainës.
“Në vend të kësaj, ne i shohim 8 mijë ushtarë dhe komandantë rusë në vendin tonë, baza të reja ushtarake direkt përgjatë kufirit dhe ushtrime ushtarake të përhershme”, tha Petro Poroshenko.
Sipas tij, “Rusia po investon shumë më këto përgatitje luftarake”. Berlini është gjithnjë e më tepër dyshues ndaj Rusisë se po përpiqet të shkaktojë probleme në Gjermani në përpjekje për dobësimin e kancelares Merkel, e cila ka marrë qëndrim të ashpër ndaj Moskës, pasi Rusia e aneksoi Krimenë e Ukrainës në mars të vitit 2014. “Tash Putini po ashtu e ka hapur luftën informative kundër Gjermanisë”, tha Poroshenko.
