Jordania jep alarmin: Jemi në vështirësi nga mijëra sirianë të ardhur

03.02.2016 14:12

Mbreti Abdullah i Jordanisë kërkoi më shumë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për trajtimin e refugjatëve...

Nga 4.6 milionë sirianë të regjistruar si refugjatë në Kombet e Bashkuara, 635 mijë i ka strehuar Jordania, teksa sipas Qeverisë jordaneze mbi një milionë të tjerë ndodhen në vend prej kohësh, përfshirë ata që emigruan në Jordani para kryengritjes në vitin 2011.

Mbreti Abdullah tha se jordanezët po vuajnë si rezultat i fluksit me 25% të buxhetit të shtetit të shpenzuar për të ndihmuar refugjatët, shërbime publike nën tendosje dhe shumë vendas po luftojnë për një vend pune.

“Qytetarët tanë mendojnë se ne jemi në pikën e vlimit. Vetë jordanezët kanë vështirësi të gjejnë punë, ne kemi presione për ndërtimin e infrastrukturës. Të mos flasim për sistemin arsimor dhe atë shëndetësor. Ne kërkojmë ndihmë jo vetëm për sirianët që janë në kufijtë tanë, por edhe për vetë popullin jordanez. Ne jemi pjesë e koalicionit kundër ekstremistëve në Irak dhe Siri, por tani kemi nevojë për ndihmën tuaj”- deklaroi mbreti Abdullah i II-të i Jordanisë.

Mbreti Abdullah hodhi poshtë kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi ngurrimin e Jordanisë për të pranuar 16.000 refugjatë sirianë të bllokuar në një zonë të largët të shkretë në kufirin e saj verior. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar 7.7 miliardë dollarë për të financuar operacionet e ndihmës për  22.5 milionë njerëz në Siri dhe vendet fqinje gjatë vitit të ardhshëm. (Gazmend Rexhepi, TVM2)