Debat në “Argument”, diskutohen reformat në media
Reformat në media janë më se të nevojshme, por ato të jenë thelbësore dhe afatgjate për të reflektuar demokraci mediatike...

Se sa propozimi i ndërmjetësit në bisedime, Piter Vanhaute, mund të shikohet si zgjidhje adekuate, bashkëbiseduesit në emisionin debativ “Argument” dhanë qëndrimet e tyre. Përderisa Besim Iljazi, anëtar i kryesisë së ShGM-së dhe përfaqësues i gazetës “Koha” propozimin e Vanhautes e konsideron si fillim i zgjidhjes së problemeve, nënkryetari i Agjencisë së Mediave, Milaim Fetai, thotë se reformat në media si prioritet duhet të kenë vetëdijesimin e pushtetit që të heqë dorë nga mediat.
“Propozimet e ndërmjetësit ndërkombëtar janë një bazë e mirë për fillimin e zgjidhjes së kësaj problematike, që është shteruar me vite të tëra. Ne pastaj na pret një punë shumë e madhe, hapja e një debati publik për të gjetur zgjidhje afatgjate nëse duam të kemi media të lira dhe njëkohësisht të kemi edhe informim objektiv të qytetarëve në tërësi”- deklaroi Besim Iljazi nga gazeta “Koha”.
“Ajo kryesorja që duhet të vijë në emancipim për të pasur një ambient shumë serioz mediatik, mediat me të vërtetë të kenë edhe ambientin e zhvillimit të tyre të gjithanshëm profesional, duhet mbi të gjitha të emancipohet qeveria, pushteti, për shkak se ata, me metodat e tyre, në mënyra të ndryshme vijnë deri aty, duke filluar si shembull që morëm servisin publik, nuk e di se çfarë reforme të bëhet, ajo kryesorja ngelet, që mos të jetë nën ndikimin e qeverisë”- tha nënkryetari i Agjencisë së Mediave, Milaim Fetai.
Kryeredaktorja e TVM2, Migena Gorenca, tha se servisi i dytë publik për një funksionim normal ka nevojë edhe për mëvetësim financiar.
“Duhet të shihet mekanizmi ligjor, një ndryshim i rrënjësishëm në Ligjin për media, në Ligjin aktual për RTVM-në, që ne të ndahemi, pra pavarësi financiare e servisit të dytë. Kur ka pavarësi financiare, ne ju garantojmë edhe pavarësi në të gjitha aspektet e tjera të programit, por nëse unë varem në këtë moment se si do të veprojë drejtori maqedonas, nëse unë varem nga disponimi i tij momental, apo nga disponimi im momental se si do t’i qasemi një problemi të caktuar, ne nuk kemi bërë asgjë”- theksoi kryeredaktorja e TVM2, Migena Gorenca.
Ndërkohë që kryeredaktorja e “Portalb”, Elida Zylbeari, thotë se për t’u shmangur kaosi informativ nëpër portale nuk ka nevojë të ushtrohet kontroll, por ato mund edhe të vetërregullohen.
“Ne si gazetarë dhe si portale duhet vetë të mblidhemi dhe të rregullojmë punën tonë. Nuk kemi nevojë për një kontroll mbi ne nëse ne mund të mblidhemi edhe t’i caktojmë rregullat dhe parimet bazë të gazetarisë. Jo rastësisht edhe lehtësuesi Vanhaute nuk i ka vendosur portalet në këtë rregullativë, të cilën ai e propozon pikërisht nga fakti që interneti duhet të jetë i lirë, mirëpo përgjegjësia duhet të jetë e jona”- u shpreh kryeredaktorja e “Portalb”, Elida Zylbeari.
Në debat gjithashtu u theksua edhe rëndësia e përcaktimit të rregullave të qarta se si mediat private të thithin financat shtetërore nëpërmjet reklamave, pasi që edhe ato janë taksapagues të mëdhenj të shtetit. (Meral Ismaili, TVM2)
