Maqedoni

Ruta e emigrantëve, policitë e rajonit me masa të përbashkëta

03.02.2016 15:39

Gjendja me emigrantët dhe përballja me ta ka mbledhur në një tryezë të përbashkët drejtorët e policive të Maqedonisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë...

Gjendja me emigrantët dhe përballja me ta ka mbledhur në një tryezë të përbashkët drejtorët e policive të Maqedonisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë, vende këto që shfrytëzohen si rutë nga refugjatët për të arritur në destinacionin që duan.
 
Përfaqësuesit e policive kanë raportuar për gjendjen me emigrantët në kufijtë e tyre, si dhe nevojën për qasje të përbashkët dhe të koordinuar nga të gjitha vendet e rutës së Ballkanit Perëndimor.
 
“Kemi konstatuar se shkëmbimi i shpejtë dhe me kohë i informacioneve për ngjarjet përgjatë rutës së emigrantëve, si dhe vendosja e masave dhe procedurave me afat përkatës të implementimit të këtyre procedurave është kyçe për evitim të situatave të tensionuara. Kjo përfshin përgatitje të dokumenteve standarde, të cilat duhet të jepen nga të gjitha palët e prekura përgjatë rutës perëndimore ballkanike”- deklaroi drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Goranço Savovski.
 
Zëvendësdrejtori i Policisë austriake, Franc Lang, tha se është e nevojshme të punohet së bashku për zvogëlimin e fluksit të njerëzve të cilët kanë mundësi të vogla për të marrë të drejtë të azilit. 
 
“Gjatë pesë muajve të fundit kanë transituar rreth 780 mijë persona, ndërsa në 13 muajt e fundit ka pothuajse 100 mijë kërkues të azilit në Austri. Autoritetet tona javën e kaluar sollën vendim për zvogëlimin e kuotës së azilkërkuesve për 37.500 persona”- tha zëvendësdrejtori i Policisë austriake, Franc Lang.
 
Austria është vendi i dytë më i prekur në Evropë, tha Franc Lang, duke shtuar se për momentin Suedia ka 16 kërkues të azilit në njëmijë banorë, Austria rreth dhjetë, ndërsa Gjermania rreth shtatë.
 
Sipas tij, është koha që të konfirmohen standardet e përbashkëta për regjistrim të emigrantëve me qëllim të këmbimit të këtyre të dhënave. 
 
NAIM RAMADANI