Maqedoni
Mundësi të reja punësimi, trajnime për të verbrit dhe shurdhmemecët
03.02.2016 15:57
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencia për Punësim organizojnë trajnime të personave me aftësi të kufizuara...

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencia për Punësim organizojnë trajnime të personave me aftësi të kufizuara, me ç’rast personat e verbër, të shurdhër dhe memecë do të edukohen për të fituar aftësi për punësim të mëtejshëm të tyre si mjeshtër të ujësjellësit, masazher ose si saldatorë.
Autoritetet e vendit shpresojnë se këto masa do t’ua hapin dyert më lehtë personave me aftësi të kufizuara për punësim në sektorin privat.
“Bëhet fjalë për disa trajnime që do t’i realizojmë bashkë edhe me shkollat e mesme të cilat më herët përpiluan plan-program për trajnim e këtyre personave. Personat me shikim të dëmtuar dhe të verbrit do të trajnohen 4 muaj për masazher terapeut, ndërsa për të shurdhrit dhe memecët do të organizohen trajnime për saldatorë dhe mjeshtër për instalimin e rrjetit të ujësjellësit”- deklaroi zëvendësministri plotësues në MPPS, Dime Spasov.
“Unë shpresoj se kompanitë do t’i vlerësojnë këto masa të cilat ne i promovojmë dhe shpresojmë shumë se pas përfundimit të trajnimeve sektori privat do t’u ofrojë vende pune personave të cilët kanë ndjekur këto trajnime”- tha drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.
Trajnimi do të zgjasë 4 muaj. Tre muaj është e paraparë të mbahet trajnim bazë, kurse 1 muaj të fitohet aftësi praktike në kompanitë private.
REXHEP QAMILI
