Botë
Virusi “Zika” në ShBA, rast transmetimi përmes marrëdhënieve intime
03.02.2016 16:26
Një rast i rrallë i infektimit nga virusi “Zika” përmes marrëdhënieve intime është raportuar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore të zonës...

Pohimin se pacienti i prekur nga virusi shkaktar i mikrocefalitit te foshnjat mund të jetë infektuar përmes kontaktit seksual dhe jo pickimit të një mushkonje e bënë drejtuesit e Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve.
“Loja tashmë ka ndryshuar. Deri tani mendonim se infektimi vinte përmes personave të infektuar nga pickimet e mushkonjave, që përmes gjakut rrezikonin t’ua shpërndanin edhe të tjerëve virusin. Por, tashmë është e qartë se virusi ‘Zika’ transmetohet edhe në rrugë seksuale. Është shqetësim sepse tani ata që udhëtojnë në Amerikën Latine duhet të mbrohen jo vetëm nga mushkonjat, por edhe gjatë marrëdhënieve intime”- tha drejtori në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve, Dallas Zahary Thompson.
Frika më e madhe lidhet me faktin që 80% e të infektuarve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ritmi i shpejtë i përhapjes së sëmundjes, sidomos në vendet e Amerikës Latine, shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë të vendosë emergjencën lidhur me “Zikën” në të njëjtin plan me atë që vuri “Ebolën” kohë më parë.
Kryqi i Kuq amerikan u kërkoi dhuruesve të gjakut, që kthehen nga vendet e goditura prej sëmundjes, të presin 28 ditë përpara se të dhurojnë gjak.
Ndërkohë, Brazili, shteti nga ku shpërtheu infeksioni, pohoi se është duke hetuar gati 4.000 raste të dyshuara mikrocefaliti te foshnjat, që mund të jenë pasojë e virusit përgjegjës të defekteve të tmerrshme në lindje.
GAZMEND REXHEPI
