Maqedoni

Debati mbi mediat, shtyhet për nesër takimi i grupeve të punës

03.02.2016 16:39

Grupet e punës sërish anuluan takimin e paralajmëruar për sot, ku duhej të diskutohej për mediat...

Takimi u la për nesër, pasi paraprakisht grupet duhet të shqyrtojnë veç e veç propozim-amendamentet e Ligjit për shërbime audio-vizuale të propozuara nga ndërmjetësi, Van Haute, si dhe propozimet e veçanta të katër partive në këtë sferë.
 
Sipas propozimit ndërkombëtar, kërkohet zgjedhja përmes konkurseve publike të anëtarëve të Këshillit të Agjencisë së Mediave dhe Këshillit Drejtues të RTVM-së. Për të siguruar pavarësinë e servisit publik, parashikohet që financimi i RTVM-së të bëhet me mjete në lartësinë prej 1% nga buxheti i shtetit. Reklamimet qeveritare të emetohen pa pagesë jo vetëm në servisin publik, por edhe në televizionet komerciale kur këto reklama janë në interes të përgjithshëm publik.
 
Sipas të njëjtit propozim, parashihet ulja e tatimit për mediat private, nga 18, sa është aktualisht, në 5 %. Gjithashtu parashikohet ulja e gjobave si dhe prodhimi i televizioneve të mos varet nga përqindja kohore e përcaktuar nga  Agjencia e mediave. VMRO ka dalë me propozimet e veta paraprakisht, për të cilat thotë se janë marrë shembuj nga legjislacioni në sferën e mediave të Belgjikës, Gjermanisë dhe Sllovenisë.
 
Me propozimet e partisë së Gruevskit kërkohet të mos preket reklamimi qeveritar në mediat private dhe ndarja e shumës së reklamave të bëhet sipas shikueshmërisë, gjithashtu VMRO kërkoi edhe vendosjen e dy redaktorëve në programet informative të RTVM-së si pjesë e asaj që thotë se është tregim i vullnetit të mirë për t’i lejuar qasje në servisin publik, por kjo u hodh poshtë nga ShGM, e cila madje e cilësoi edhe si kërkesë qesharake që tregon edhe një herë se servisi publik tashmë do të ishte nën tutelën jo vetëm të një partie, por të dy partive, e kjo është larg përcaktimit për largimin e politikës nga politika redaktuese e RTVM-së.
 
BDI dhe PDSh kërkojnë që propozim-ligji i Vanhautes të parasheh që kanali i dytë i RTVM-së të jetë 24 orë shqip, ndërsa kanë përkrahur në tërësi pa asnjë rezervë pikat tjera të propozimit të Vanhautes. Dje ShGM kërkoi që partitë të mendojnë seriozisht për të pranuar propozimet e ndërmjetësit, Vanhaute, ndërkohë që nga AMM i kanë quajtur të papranueshme të njëjtat.
 
BESIM ABDULLAI