Maqedoni

Të punësuarit në “Jugohrom” në protesta, kërkojnë hapjen e kombinatit më 1 mars

03.02.2016 16:44

Punëtorët e kombinatit “Jugohrom” dolën në protestë për të kërkuar nga drejtuesit e kompanisë që ta rihapin kombinatin në datën e caktuar...

Nëse kjo nuk ndodh, ata u kërcënuan se do të radikalozojnë protestat. Nga sindikata e të punësuarve në këtë kombinat këmbëngulin se “Jugohromi” nuk është ndotësi më i madh dhe as i vetëm i ajrit në Tetovë. Sa u përket analizave të prezantuara dje nga “Eko Guerilla”, ata thonë se matja nuk është e saktë, matje e drejtë, sipas tyre, do të ishte ajo kur kombinati punon. Sipas tyre, edhe pa “Jugohromin” ajri në Tetovë sërish është i ndotur.
 
“Jugohromi’ nuk ndot aq sa përshkruhet edhe në këtë periudhë kohore prej një muaji. Tetova edhe më tej thith ajër të ndotur, pra ndikimi i ‘Jugohromit’ doli se është shumë pak apo aspak. Para dy ditësh nga ‘Eco Guerilla’ kanë deklaruar se pjesëmarrja e ‘Jugohromit’ në ndotjen në Tetovë është diku rreth 39 apo 40 për qind dhe më e keqja është se përveç Tetovës ‘Jugohromi’ e ndot edhe Shkupin me 7 për qind. Iu apeloj atyre që t’i mbajnë të dhënat e muajit shkurt, le të matin ndotjen në muajin mars kur do fillojë me punë ‘Jugohromi’ dhe le të bëjnë një krahasim atëherë, se jam i bindur se ndotja do jetë shumë më e vogël në mars me oxhaqet e ‘Jugohromit’ se sa në janar”- deklaroi kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Bajram Amiti.
 
Protestuesit thonë se nga ky kombinat sigurojnë bukën për familjet e tyre dhe ju apelojnë të gjitha institucioneve që të marrin masa dhe të rihapin fabrikën. 
 
"Eco Guerilla’ dhe ministri i Ambientit le të shkojnë ta kërkojnë tjetërkund ku duhet të kërkohet dhe jo këtu tek ne që na e marrin edhe bukën neve, sepse unë nga 59-ta ushqej familjen me këtë punë”- tha një punëtor.
 
“Ju apeloj të gjitha institucioneve që të marrin masa për ta hapur, sepse ne do marrim masa më të rrepta shkaku se shumica e klasës punëtore rrinë pa punë. Unë jam 34 vite këtu, nuk e di të them një herë se jam sëmurë apo diçka tjetër. Ju apeloj të gjitha partive politike, prej Tetove deri në Jazhincë, mos të guxojnë të vijnë të kërkojnë votën se keq do i kenë punët”- theksoi një punëtor.
 
“Kjo fabrikë ka qenë gjithmonë, familje kemi mbajtur dhe ja ku jemi”- u shpreh një punëtor.
 
“Eco Guerilla” ka dalë me të dhënat se nga mbyllja e “Jugohromit” ndotja në Tetovë dhe rrethinë është reduktuar për afër 40 për qind, ndërsa në Shkup ka ndikuar në ulje të ndotjes me rreth 7 për qind. Ndotja e ajrit ka shënuar rënie edhe në qytetet tjera, si Gostivari dhe Kërçova. 
 
VISAR SADIKI