Botë
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, debat mbi Maqedoninë dhe Kosovën
03.02.2016 17:19
Kriza në Maqedoni dhe në Kosovë ka qenë në qendër të debatit të Komisionit për Punët e Jashtme zhvilluar sot në Tiranë...

Eksperti i çështjeve politike dhe strategjike në Ministrinë e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri një panoramë të situatës në Maqedoni, duke nisur nga i ashtuquajturi shpërthim i “bombave” të Zaevit e deri tek pritshmëritë pas zgjedhjeve të 24 prillit.
“Me rëndësi është impenjimi i veçantë i komunitetit ndërkombëtar, sidomos i BE-së, e cila e konsideron Maqedoninë një histori suksesi me zgjidhjen që i bëri krizës së vitit 2001, duke nënshkruar marrëveshjen e Ohrit. Me gjithë përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, ende sot nuk ka një marrëveshje, pasi një pjesë e opozitës nuk është dakord me dy çështje, listat zgjedhore, për të cilat ajo pretendon se nuk janë pastruar nga dublikimet, dhe zbatimi i Ligjit për mediat, që lidhet me pasqyrimin e barabartë dhe të ndershëm të programeve të partive politike në media”- deklaroi eksperti i çështjeve politike dhe strategjike në Ministrinë e Jashtme, Ferit Hoxha.
Me gjithë përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, sipas tij, ende nuk ka një marrëveshje, pasi një pjesë e opozitës nuk është dakord me listat zgjedhore dhe reformën e mediave.
Ndërsa sa i përket Kosovës, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë vunë në dukje se vetëm me dialog mund të ketë progres në marrëdhëniet me Serbinë.
Pas raportimit të zyrtarëve të MPJ-së mbledhja e Komisionit vijoi me dyer të mbyllura.
LULJETA NDOKA
