Maqedoni
Universiteti “Damjan Gruev”, PDSH: Është antishqiptar
03.02.2016 17:33
Akuza dhe kritika të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës kanë karakterizuar Komisionin për Arsim, në të cilin po debatohet për hapjen e Universitetit të ri “Damjan Gruev”...

Nga PDSh thonë se BDI dhe ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, kontrabandon me vullnetin e shqiptarëve, duke propozuar themelimin e një universiteti i cili ushqen hegjemonizmin dhe nacionalizmin maqedonas.
“Amendamentet tona kanë të bëjnë me emërtimet, për shkak se emërtimi është çështje e simbolikës, e cila drejtpërdrejt na tregon se kush është pronari i këtij shteti, e dyta kërkojmë që gjuha shqipe të jetë gjuhë pune në këtë universitet, që është edhe kategori kushtetuese dhe natyrisht edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat që rrjedh drejtpërdrejtë në rast se do të bëhej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare”- deklaroi Orhan Ibrahimi nga PDSh.
Nga LSDM akuzojnë se pushteti po hap universitet për t’i punësuar ushtarët partiak, të cilët duhet të shpërblehen për atë se “kanë pështyrë opozitën”. Ata kanë dorëzuar 984 amendamente të Ligjit për themelimin e Universitetit “Damjan Gruev”.
“Pyes publikisht, pse nuk është sjellë deri tek deputetët elaborat për themelimin e universitetit në shqyrtim, gjithashtu ku është vendimi i Këshillit për Akreditim me të cilin jepet mendimi për universitet të ri? Përse ende mbetet sekret formacioni i Këshillit për Akreditim? A ka fund sjellja nënçmuese e qeverisë ndaj deputetëve?”- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
Ndërsa partia në pushtet, VMRO-DPMNE, akuzoi opozitën për bllokim të punës së Komisionit. Deputeti, Zoran Ilioski, tha se nuk është puna tek elaborati, por te destruktiviteti i LSDM-së dhe vullneti i tyre për bllokim të punës së Komisionit.
“Vet e pranojnë se e bllokojnë këtë ligj, e gjithë kjo në interes që mos të themelohet një universitet i ri. Universitet ky që do të mundësojë hapësira të reja për mësim të studentëve tanë, universitet ky i cili do të mundësojë konkurrencë, i cili do të jetë në të mirë të të gjithë vendit”- tha Zoran Iliovski nga VMRO.
Kuvendi më 28 janar me shumicë votash mbështeti propozim-ligjin për themelimin e Universitetit për Siguri dhe Mbrojtje “Damjan Gruev”. Është paraparë që në kuadër të këtij universiteti të funksionojnë tetë fakultete të cilat do të nisnin me punë gjatë vitit akademik 2016-2017.
ERSAN PAJAZITI
