Maqedoni
Ekspozitë ekskluzive në Shkup, prezantohen 46 vepra nga Pablo Picasso
03.02.2016 17:43
Shkupi, nga 19 shkurti do të jetë nikoqir i një ekspozite ekskluzive...

Në Shkup do të vijnë për herë të parë veprat e njërit prej piktorëve më të famshëm në historinë e këtij arti, Pablo Picaso.
Veprat përfshijnë një përmbledhje ekskluzive të 46 veprave të autorit me famë botërore dhe një periudhë 40 vjeçare të krijimtarisë së tij.
Kjo përmbledhje ekskluzive e 46 veprave është e ndarë në tre pjesë: Flauti i Dyfishtë, Flora dhe Fauna nga Antibi dhe vizatimet e Picassos.
"Jam e bindur se kjo ekspozitë, të drejtat e së cilës i ka galeria ‘Viskonti’ nga Lubjana e Sllovenisë, do të paraqesë një kënaqësi vizuale për qytetarët të cilët ndjejnë nevojën për të kënaqur dëshirat e tyre kulturore"- deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Kamçevska-Milevska.
Nga viti 1965, Republika e Maqedonisë posedon një vepër të Pablo Picassos, e cila është e vendosur në Muzeun për Art Bashkëkohor, "Koka e gruas", vepër kjo e cila pas rikonstruksionit të muzeut në vitin 2014 sërish është ekspozuar për publikun.
Ekspozita organizohet nga Qendra Kulturore për të Rinj dhe galeria “Viskonti” nga Lubjana. Qendra do të jetë e hapur nga data 19 shkurt deri më 16 mars dhe hyrja do të jetë falas.
GAZMEND KURTISHI
