Maqedoni

Kriza politike dhe raporti i PE-së, Han takon eurodeputetët: Hovit, Kukan dhe Vajgël

03.02.2016 18:06

Komisioneri për zgjerim, Johanes Han, ka takuar eurodeputetët, Ivo Vajgël, Riçard Hovit dhe Eduard Kukan...

Komisioneri për zgjerim, Johanes Han, ka takuar eurodeputetët, Ivo Vajgël, Riçard Hovit dhe Eduard Kukan, të cilët njëherit ishin edhe ndërmjetësues mes partive politike për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës.
 
Tre eurodeputetët dhe komisioneri Han kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për ecurinë e deritanishme sa u përket reformave urgjente prioritare. 20 shkurti është dita kur sërish në Shkup pritet të vijë komisioneri Han për të parë se a janë përmbushur parakushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
 
Ndërsa në Parlamentin Evropian janë parashtruar 270 amendamente ndaj propozim-rezolutës për Maqedoninë të raportuesit, Ivo Vajgël, që Parlamenti Evropian duhet ta votojë në mars.
 
Më shumë amendamente kanë dorëzuar eurodeputetët grekë dhe bullgarë, të cilët vlerësojnë se Maqedonia nuk respekton parimet e fqinjësisë së mirë dhe si e tillë nuk meriton të fillojë bisedimet aderuese për në BE.
 
Raportuesi Vajgël edhe më herët ka porositur se Maqedonia duhet të zgjidhë krizën politike, të respektojë Marrëveshjen e Përzhinës, e më pas të mendojë për ardhmërinë evropiane.
 
Kjo porosi u bë edhe pjesë e raportit të fundit të BE-së, ku përparimi i Maqedonisë në agjendën aderuese të BE-së varet tkyekëput nga rezultati pozitiv i implementimit në tërësi të Marrëveshjes së Përzhinës. 
 
SANIJE KASAMI