Pesë persona janë lënduar në 13 aksidente për 24 orë në Shkup

04.02.2016 11:23

Shoferi i një motoçiklete dhe një këmbësor janë lënduar rëndë, ndërsa me lëndime më të lehta kanë kaluar bashkëudhëtari dhe dy këmbësorë në pesë nga gjithsej 13 aksidente të regjistruara në Shkup në 24 orët e fundit. Tetë aksidente janë me pasojë dëm material...

Gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë së trafikut janë zbuluar dhe sanksionuar 26 shoferë të cilët nuk e kanë respektuar kufizimin e shpejtësisë së lëvizjes me automjet, shtatë shoferë nuk u kanë dhënë përparësi kalimit të këmbësorëve në vizat e bardha për këmbësorë, si dhe katër shoferë që nuk i kanë respektuar shenjat ndriçuese të komunikacionit në udhëkryqe. Janë sanksionuar edhe 25 këmbësorë të cilët kanë kryer shkelje në baza të ndryshme.

Me ndihmën e automjetit special "karrotrec" dje nga ana e policisë së komunikacionit janë larguar 86 automjete, të cilat e kanë penguar zhvillimin normal të komunikacionit.

Nga  policia e trafikut njoftojnë se edhe sot nga ora 9 deri në orën 13 në udhëkryqet në rajonin qendror të qytetit do të realizohet trajnim për rregullim fizik të komunikacionit të kandidatëve për nëpunës policorë. Trajnimin do ta realizojë Njësiti për siguri të qarkullimit rrugor dhe Qendrës për trajnim pranë MPB-së.

Për sot nuk janë paralajmëruar ngjarje të jashëzakonshme me çka pritet që qarkullimi të zhvillohet rrjedhimisht dhe sipas rregullativës ekzistuese rrugore. (mia.mk)