Elbasan, masakra me tre të vdekur

04.02.2016 12:02

Tre persona kanë mbetur të vdekur dhe tetë të tjerë të plagosur pas një atentati në një lokal pranë stadiumit "Elbasan Arena" në qytetin e Elbasanit në Shqipëri...

Sulmi i armatosur, i cili dyshohet se ka motiv hasmërinë për krime të shumë viteve më parë, ndodhi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli mbetën viktima të breshërive të automatikut që u lëshuan nga jashtë lokalit nga autorë ende të paidentifikuar.

Të plagosurit, disa prej të cilëve kanë lidhje fisnore mes tyre, janë në gjendje të rëndë. Sipas policisë, dyshohet se krimi ka ndodhur nga pjesëtarë të fisit Mema, me të cilët fisi Çapja ndodhet në hasmëri prej 11 vitesh.

Në total, për shkak të këtyre hasmërive janë shkaktuar 15 viktima, e megjithatë asnjëri prej të implikuarve në vrasje nuk është vënë përballë drejtësisë. Tre apo katër mendohet të kenë qenë autorët e atentatit të cilët dyshohet se ishin të kamufluar me rroba ushtarake apo uniforma policie. Pasi kanë lëshuar breshërinë e plumbave drejt lokalit, autorët janë larguar menjëherë me një makinë gri, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit për të mundësuar kapjen e tyre.

Gjashtë prej të plagosurve u transportuan me një helikopter “Cougar” të Ministrisë së Mbrojtjes, cili u ul në brendësi të stadiumit "Elbasan Arena" për t'i transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Gjendja e tyre është ende kritike për jetën, ndërsa policia ka njoftuar se jep 30 milion lekë shpërblim për informatorët.

Policia ka shoqëruar 46 persona si dhe ka ushtruar kontrolle në banesa përgjatë gjithë natës. (Luljeta Ndoka, TVM2)