ShBA dhe Franca: Moska dhe Damasku po i devijojnë bisedimet

04.02.2016 12:23

Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë akuzuar Moskën dhe Damaskun për devijimin e bisedimeve të brishta të paqes për Sirinë...

Vazhdimi i sulmeve ajrore nga ana e regjimit sirian kundër zonave të kontrolluara nga rebelët në një kohë kur në Gjenevë me vështirësi të madhe po planifikohet ulja e palëve në tryezën e negociatave është konsideruar nga Parisi dhe Uashingtoni si minim i përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit disavjeçar.  Forcat e opozitës siriane e kanë bërë të qartë që në fillim se po nuk ndaluan sulmet, nuk do të ketë negociata.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se Damasku dhe Moska po i godasin përpjekjet e paqes.

Për kryediplomatin amerikan, John Kerry, raundet e fundit të bombardimeve dëshmojnë qartë se Bashar al Assad nuk e dëshiron armëpushimin.

“Vazhdimi i sulmeve nga ana e forcave të regjimit sirian i mundësuar dhe nga bombardimet ajrore ruse mbi zonat e kontrolluara prej opozitës, sinjalizon qartë synimin e gjetjes së një zgjidhjeje ushtarake të situatës, në vend që të tentohet arritja e një kompromisi politik”, deklaroi Kerry.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, i pezulloi përkohësisht bisedimet e planifikuara të mërkurën, por këmbënguli të sqaronte se ky nuk është as  fundi e as dështimi i nismës. Bisedimet, sipas De Misturës, do të rifillojnë më 25 shkurt.