Maqedoni
Zhbllokohet hekurudha Gjevgjeli-Tabanoc për transportin e migrantëve
04.02.2016 14:07
Zhbllokohet rruga hekurudhore Gjevgjeli-Tabanoc, e cila ishte e bllokuar nga ana e vozitësve privat të autobusëve dhe taksistëve...

Vozitësit e kanë tërhequr barrikadën nga hekurudhat, me çka normalizohet dhe transporti i refugjatëve. Vendimi për zhbllokimin e hekurudhës, në të cilin transporti i migrantëve është stopuar tashmë pesë ditë, pason pas vendimit të mbrëmshëm të Trupit koordinues për përballje me krizat, i cili mori vendim për transportin e migrantëve.
Në takimin e mbrëmshëm të Komitetit Drejtues për Krizën, që ka pasur përfaqësues nga të gjitha institucionet relevante shtetërore, është rënë dakord që migrantët të transportohen me një tren në ditë dhe pjesa tjetër të transportohen me vozitës privat, taksi dhe autobusë.
Nga Qendra për Përballjen me Kriza thonë se bëhet fjalë për masë të përkohshme, kohëzgjatja e të cilit nuk është e përcaktuar, dhe e njëjta do të varet nga fluksi i migrantëve të cilët vijnë nga Greqia.
Ndërsa nga Shoqata e Transportuesve Privat theksojnë se lënë hapësirë që në dhjetë ditët e ardhshëm të shihet se si do të funksionojë vendimi i marrë dhe marrëveshja e arritur në mbledhjen e sotme.
Paraprakisht në lidhje me bllokimin e hekurudhës reaguan edhe nga sindikatat e hekurudhave, të cilat theksuan se bllokimi i hekurudhës sjell dëme të mëdha financiare, që mund të ndikojnë në pagesën e punëtorëve.
ERSAN PAJAZITI
