Botë
Siri, asnjë progres në OKB, pezullohen përkohësisht bisedimet për paqen
04.02.2016 15:19
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar bisedimet që synojnë të risjellin paqen në Siri pas 5 vitesh konflikt të armatosur mes forcave qeveritare dhe rebelëve...

I dërguari i OKB-së, Stefan De Mistura, deklaroi nga Gjeneva se pezullimi i përkohshëm vjen si pasojë e mungesës së progresit gjatë javës së fundit. Negociatat, të cilat u hapën pak ditë më parë, tashmë pritet të rifillojnë më 25 shkurt.
“Ky pezullim nuk do të thotë se bisedimet kanë dështuar, megjithëse palët duhet të tregojnë se janë të interesuara për një dialog politik dhe jo të qëndrojnë të heshtur ashtu si ndodhi gjatë seancave të fundit”- deklaroi i dërguari i OKB-së, Stefan De Mistura.
Forcat e opozitës siriane e kanë bërë të qartë që në fillim se po nuk ndaluan sulmet, nuk do të ketë negociata. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se Damasku dhe Moska po i godasin përpjekjet e paqes me silurë. Vazhdimi i sulmeve ajrore nga ana e regjimit sirian kundër zonave të kontrolluara nga rebelët në një kohë kur në Gjenevë me vështirësi të madhe po planifikohet ulja e palëve në tryezën e negociatave është konsideruar nga Parisi dhe Uashingtoni si minim i përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit disavjeçar.
Për kryediplomatin amerikan, John Kerry, raundet e fundit të bombardimeve dëshmojnë qartë se Bashar al Assad nuk e dëshiron armëpushimin. Që prej shpërthimit të saj në 2011-ën, lufta civile siriane ka kushtuar më shumë se 260.000 jetë njerëzish e thuajse se gjysmën e popullsisë së këtij kombi e ka kthyer në refugjate.
BELINDA KOKA-ADEMI
