Gjermani, valë arrestimesh për terrorizëm
Pas masakrës së Parisit dhe sulmeve me sfond seksual në Këln natën e ndërrimit të viteve, masat e sigurisë në Gjermani janë shtuar ndjeshëm...

Gjatë një aksioni policor në Berlin, Hanover dhe Atendorn në Vestfali, përfunduan në pranga mes të tjerësh dy algjerianë, një nga të cilët rezident i një qendre refugjatësh.
Dy persona të tjerë janë në kërkim. Për lidhjet e dyshimta të këtyre individëve, policia u informua nga Agjencia gjermane e Inteligjencës, BND. Në deklaratën e shpërndarë me këtë rast thuhet se, grupi po planifikonte një “akt që kërcënonte sigurinë e shtetit”.
Ndalimet përkuan me nisjen e kremtimeve 5 ditore të karnavaleve në mbarë rajonin e Këlnit. Asnjë formë dhune nuk do të gjejë vend në këtë festival, ishte deklarata e policisë që gjithsesi ka përforcuar masat e sigurisë në qytet dhe zonat përreth tij.
Rreth 2.500 efektivë policie do të shpërndahen në qytet, duke shënuar kështu një rritje të ndjeshme të pranisë policore atje krahasuar me vitin që shkoi. Buxheti i sigurisë për festimet e sivjetshme llogaritet në më shumë se 360.000 euro.
