Shënohet Dita Ndërkombëtare e Kancerit, mjekët rekomandojnë kontrolle të rregullta

04.02.2016 15:47

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Kancerit, shoqatat joqeveritare për luftë kundër kancerit apelojnë kontrolle të rregullta mjekësore me qëllim të parandalimit apo diagnostifikimit të hershëm të sëmundjeve maline....

Ata theksojnë se qeveria dhe organet kompetente duhet të vendosin theks të veçantë në parandalimin e kësaj dukurie, sepse, sipas tyre, në Maqedoni numri i vdekjeve të shkaktuara nga kanceri është i lartë.

“Këtë vit do të lansojmë ueb fushatën me promocion të ditës për informata për qytetarët, shpërndarje të fletushkave nga ana e vullnetarëve tanë në Shkup dhe në tërë Maqedoninë”- deklaroi kryetarja e Shoqatës për Luftë Kundër Kancerit “Luftë për çdo ditë”, Biba Dodeva.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ky dikaster po punon në avancimin e mjekësisë për të parandaluar sëmundjet maline, ndërkaq theksuan se të suksesshëm kanë qenë në prevendimin e kancerit në gji, me çka, sipas tyre, është rritur edhe vetëdijesimi i qytetarëve.

“Nga periudha 2010-2014 nuk është shënuar trend i uljes, por kemi ulje të vdekjes nga kanceri i gjirit, kjo për shkak të masave të ndërmarra me kohë”- tha Jovanka Kostvska nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe mjekët rekomandojnë kontrolle të rregullta me qëllim që sëmundja karcinome të kapet në stadin e hershëm.

“I tërë qëllimi i screeningut është që pacienti ta zbulojë më herët sëmundjen dhe të ketë trajtim të hershëm, gjegjësisht të kapet sëmundja në stadin e hershëm. Është një gamë, një sërë rezultatesh të cilat duhet të bëhen për zbulim të hershëm të karcinomeve maline në organizëm”- theksoi onkologu, Ilir Ismaili.

Sipas të dhënave nga OBSh, në nivel botëror në vit vdesin nga kanceri rreth 8,2 milion njerëz, thonë nga Organizata për Luftë Kundër  Kancerit, “Lufta për çdo ditë”. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)