Maqedoni
Të rinjtë e QNE-së kërkojnë politika të reja për ardhmëri më të mirë
04.02.2016 15:49
Qendra për Nisma Evropiane do të organizojë hulumtim se sa të rinjtë janë larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë dhe sa prej tyre qëndrojnë këtu...

Të rinjtë e kësaj qendre janë të brengosur për faktin se ndoshta ky numër mund të jetë shumë i lartë, gjë që kërkon politika të reja dhe motivuese që do t’i mbanin ata të qëndrojnë dhe veprojnë në Maqedoni.
Hulumtimi do të realizohet në të gjitha qendrat universitare, ndërsa i njëjti duhet të tregojë për profilin arsimor të të rinjve që braktisin vendin.
“Qëllimi ynë është që t’i vendosim të rinjtë në fokus, gjegjësisht të nxjerrim rekomandime dhe udhëzime të mëtejshme dhe të krijohen politika të reja se si ta përmirësojmë gjendjen në fjalë. Duhet hulumtuar saktë në tërë territorin e vendit se sa të rinjtë shpërngulen nga Maqedonia, cilat janë arsyet që disa prej tyre braktisin vendin e disa mbeten në Maqedoni”- deklaroi kryetari i Qendrës për Nisma Evropiane, Hristijan Konevski.
Hulumtimi duhet të japë përgjigje se a bëhet fjalë për largimin e të rinjve për arsye sociale-ekonomike apo për arsye të tjera të cilat në opinion shpeshherë po manipu
lohet, thonë të rinjtë e kësaj qendre. Megjithatë të dhënat e Agjencisë për Punësim tregojnë se një pjesë e madhe e personave që kërkojnë punë në Maqedoni janë pikërisht të rinjtë deri në moshën 30 vjeç.
“37 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kërkojnë vazhdimisht punë janë personat e rinj. Nga gjithsej 112 mijë persona të paraqitur te ne, 37% prej tyre janë persona deri në moshën 29 vjeçare, 16 për qind prej tyre janë me arsim të lartë, ndërsa të tjerët janë me arsim të mesëm”- tha drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.
Rezultatet e hulumtimit duhet të japin këshilla për përmirësimin e procesit edukativ-arsimor, me ç’rast ky trend negativ do të parandalohet në kohë.
REXHEP QAMILI
