Maqedoni
Tetovë, rinovime në çerdhet e qytetit
04.02.2016 16:28
Çerdhja “Teteks” në Tetovë është renovuar. Ajo ka tashmë dyer e dritare të reja, një investim që peshon 400 mijë denarë...

Njësoj si në këtë çerdhe, investime ka pasur edhe në objektin e vjetër, të cilit i është renovuar tërësisht çatia, për t’u krijuar fëmijëve kushte sa më të mira gjatë qëndrimit ditor. Gjithashtu janë renovuar edhe nyjet sanitare.
“Ajo që më bën më shumë krenar është se kemi arritur së bashku me drejtorinë dhe të punësuat që të bëjmë komplet ndërrimin e dritareve, që e ngrit nivelin e kushteve, dhe tendenca jonë është që çdo vit të përmirësojmë hapësirat e çerdheve ku fëmijët e kalojnë ditën këtu. Me rëndësi është se arritën që të rregullojmë edhe pullazin tek çerdhja e vjetër, që ishte një kokëdhimbje dhe një problem i madh, ku investimi kap vlerën prej rreth 6 mijë euro”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Për drejtoreshën e këtij institucioni investimet nga ana e komunës janë tejet të mirëseardhura, sidomos kur bëhet fjalë për kujdesin që tregohet ndaj ardhmërisë së vendit, fëmijëve.
Sot për punonjëset e kësaj çerdhe u ndanë edhe 10 vendime të reja pune, në kuadër të fazës së dytë të zbatimit të Ligjit për transformimin e vendeve të punës.
“Dihet se nëse ua përmirësojmë kushtet fëmijëve në çerdhe do të jetë edhe qëndrimi i tyre më i rehatshëm, po edhe vetë personeli i ynë do të jetë më i kujdesshëm ndaj fëmijëve, pasi kushtet përmirësohen. Në bazë të Ligjit për transformim të vendeve të punës, kjo është hera e dytë, ku së bashku me kryetaren ndajmë edhe 10 vendime pune”- tha drejtoresha e Çerdhes “Mlladost”, Ramije Dauti.
Arifi me këtë rast ka paralajmëruar se këto nuk do të jenë investimet e vetme në çerdhet e Tetovës, por do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Në çerdhe janë të punësuar rreth 100 edukatore dhe përkëdhelëse dhe përkujdesje ditore marrin mbi 700 fëmijë.
VISAR SADIKI
