Maqedoni
Obama viziton xhaminë në Merilend, retorika anti-myslimane e pajustifikueshme
04.02.2016 17:11
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka vizituar për herë të parë një xhami në SHBA, duke i vlerësuar myslimanët amerikanë si ndër qytetarët më të respektuar dhe më patriotë të ShBA-ve...

“Rritja e islamofobisë në vend është një fenomen që s’duhet kurrsesi të ndodhë”, tha Obama duke shtuar se “paragjykimi ndaj myslimanëve ushqehet nga injoranca në mesin e amerikanëve për komunitetin dhe besimin islam”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë dënoi atë që e cilësoi si “retorikë të pafalshme politike” në lidhje me besimin Islam, duke iu referuar dukshëm komenteve të bëra gjatë fushatës nga kandidati republikan për president, Donald Trump.
“Shumë dëgjojnë për myslimanët pas ndonjë akti terrorist, apo dëgjon të shtrembëruara portretizimet që mediat dhe televizioni i identifikon ata, duke bërë që të krijohet një përshtypje tjetër, tërësisht e gabuar”. Obama ka vizituar disa xhami në vizitat e tij zyrtare në vende të ndryshme të botës, por kjo është hera e parë që ai vizitonte një të tillë në ShBA, ku ishte përzgjedhur xhamia në Mariland.
Në vitin 2009, menjëherë pas marrjes së detyrës, Barack Obama ka mbajtur një fjalim historik në Universitetin e Kajros, duke premtuar se Amerika nuk do të jetë kurrë në luftë me besimin Islam.
