Maqedoni
Pastrimi i listës zgjedhore, KShZ nis përgatitjet për kryqëzimin e të dhënave
04.02.2016 17:58
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për pastrimin e listës zgjedhore...

MPB ka dorëzuar të dhënat deri tek KSHZ, ndërkaq katër institucione kanë nënshkruar bashkëpunim me komisionin për të kryqëzuar të dhënat. Por, nga KShZ nuk dhanë qëndrim konkret se ekzistojnë apo jo kushte reale të pastrohet lista zgjedhore që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.
Kryetari i këtij institucioni, Aleksandër Çiçakovski, thotë se fillimisht do t’i shohin indikacionet dhe më pas do ta thonë fjalën e fundit.
“Fillimisht do të kisha dashur që të fillojmë me kryqëzimin e të dhënave. Të shohim se cilat do të jenë indikacionet e para që do t’i fitojmë dhe më pas të shohim se me sa aktivitete do të kemi periudhën që vjen dhe atëherë do të kemi indikacione të sakta dhe mund të japim prognozë të saktë mbi këtë çështje”- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Aktivitetet për kryqëzim të të dhënave pritet të fillojnë pas disa ditësh, pasi të gjitha institucionet relevante t’ia dorëzojnë të dhënat KShZ-së. Për zbatimin e metodologjive për pastrim të listës zgjedhore janë angazhuar 5 konsultantë të IT-së, katër të propozuar nga partitë politike dhe një konsultant ndërkombëtar.
KShZ ka iniciuar edhe ndryshim të kodit zgjedhor dhe ligjeve të tjera për pastrimin e listës zgjedhore.
“Iniciuam ndryshime dhe plotësime të disa ligjeve, me qëllim që të sigurohet bazë normative për fshirje të shpejtë dhe efikase të të dhënave jokonzistente në listën zgjedhore. Jemi në përgatitje të softuerit, nëpërmjet të cilit qytetarët do të mund të bëjnë kontrollin në listën zgjedhore, në bazë të disa të dhënave”- tha nënkryetari i KShZ-së, Rexhep Prekopuca.
Sipas metodologjive të KShZ-së, tek të dhënat ku do të shfaqen dyshime do të dilet në terren për t’u kryer kontrolli. Atë do ta kryejnë anketues të autorizuar nga partitë politike, por të trajnuar nga KShZ.
MERAL ISMAILI
