Maqedoni
Tensionohet situata në Komisionin për Arsim, VMRO dhe LSDM shkëmbejnë akuza për krizën
04.02.2016 18:02
Tensionohet situata në Komisionin për Arsim. Nisma për themelimin e Universiteti për Siguri “Damjan Gruev” po shndërrohet në “mollë sherri” ...

Tensionohet situata në Komisionin për Arsim. Nisma për themelimin e Universiteti për Siguri “Damjan Gruev” po shndërrohet në “mollë sherri” mes shumicës parlamentare të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM.
Përderisa pushteti akuzon opozitën për tentativë për të bllokuar punën e Kuvendit me dorëzimin e mijëra amendamenteve, opozita akuzon mazhorancën se po ia kufizon të drejtën e fjalës opozitës.
Deputeti i LSDM-së, Goran Sugarevski, thotë se kjo që po ndodh në Komisionin për Arsim i ngjason skandalit të 24 dhjetorit, kur opozita me dhunë u largua nga kuvendi.
“Kjo që po ndodh sot përsëri është një dhunë klasike, të cilën edhe para tre vitesh e gjysmë e praktikoi VMRO-DPMNE, d.m.th. nuk po gjejnë mënyrë se si të të merret e drejta. Në rregullore janë paraparë dispozita me të cilat kufizimi i kohëzgjatjes së fjalimit të deputetëve bëhet vetëm në Komisionin për Financim dhe Buxhet, çështjet ekonomike dhe harmonizimin e ligjeve me BE-në, por në komisionet tjera këtë gjë nuk kanë të drejtë ta bëjnë”- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
“LSDM dëshiron të përsërisë skenarin me qëllim që të shkaktojë incidente të reja dhe krizë të re në këtë kuvend. Nuk kanë argumente, program, nuk kanë ide, por për këtë qëllim ofendojnë, kërcënohen, parashtrojnë mijëra, më falni por do të thosha amendamente të ‘çmendura’”- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM ka dorëzuar rreth 1000 amendamente për Ligjin për themelimin e Universitetit “Damjan Gruev” për të penguar miratimin e këtij ligji, pasi vlerësojnë se pushteti po hap universitet për t’i punësuar “ushtarët” partiak, të cilët duhet të shpërblehen për atë se “kanë pështyrë opozitën”.
Ndërkaq, PDSh konteston emrin dhe gjuhën e punës në këtë universitet, prandaj ka dorëzuar disa amendamente.
SHPËTIM NUREDINI
