Maqedoni

Grupet e punës në takim, diskutohet propozimi i Vanhautes për mediat

04.02.2016 18:07

Grupet e punës sot diskutojnë propozimin final të ndërmjetësit, Piter Vanhautes, për rregullimin e çështjes së mediave...

Sipas propozimit ndërkombëtar, kërkohet zgjedhja përmes konkurseve publike të anëtarëve të Këshillit të Agjencisë së Mediave dhe Këshillit Drejtues të RTVM-së.
 
Për të siguruar pavarësinë e servisit publik, parashikohet që financimi i RTVM-së të bëhet me mjete në lartësinë prej 1% nga buxheti i shtetit.
 
Reklamimet qeveritare të emetohen pa pagesë jo vetëm në servisin publik, por edhe në televizionet komerciale, kur këto reklama janë në interes të përgjithshëm publik.
 
Sipas të njëjtit propozim, parashihet ulja e tatimit për mediat private, nga 18 sa është aktualisht, në 5 %.
 
Gjithashtu parashikohet ulja e gjobave, si dhe prodhimi i televizioneve të mos varet nga përqindja kohore e përcaktuar nga agjencia e mediave.
 
Këto propozime janë mbështetur nga opozita dhe ShGM-ja, duke i vlerësuar në përputhje me përvojat e avancuara evropiane, por kundërshtohen fuqishëm nga VMRO dhe Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë.
 
BDI kërkon kanal shtetëror televiziv dhe radio në gjuhën shqipe me program të pandërprerë 24 orësh, kërkesë kjo edhe e PDSh-së, gjithashtu BDI kërkon redaksi shqipe në Agjencinë Shtetërore Informative, kanali kuvendor të mos jetë monoetnik, si dhe të rregullohet çështja e gjuhës, me të cilën emitohet programi i kanalit të kuvendit.
 
PDSh, ndërkohë, përkrah në tërësi të gjitha pikat tjera të propozimit ndërkombëtar. 
 
BESIMI ABDULLAI