Filmi dokumentar "Doda" i Visar Vishkës sonte premierë në kinemanë Frosina

05.02.2016 09:23

Premiera e filmit dokumentar "Doda - The life and adventures of Franz Baron Nopcsa" i cili vjen nën regjinë e aktorit të njohur shqiptar nga Maqedonia, Visar Vishka sonte do të shfaqet në kinemanë "Frosina" në Shkup...

Baroni Franc Nopça nga Felshësilvashi (Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás, 1877-1933), ishte një ndër studiuesit më të spikatur të kohës. Ai ka lindur në një familje aristokratike hungareze më 3 maj 1877. Nopça shumë shpejt u bë një studiues me nam në fushën e paleontologjisë.

Ai shquhet edhe si themeluesi i paleofiziologjisë, para se gjithash me studimet e tij të njohura edhe jashtë Austrisë për zvarranikët fosilikë. Në vitet e mëvonshme Nopça u bë i njohur gjithashtu si një ndër albanologët kryesorë të kohës së tij. Botimet e tij albanologjike nga vitet 1907 deri në 1932 u përqendruan kryesisht në fushat e mëposhtme: parahistoria dhe historia e lashtë, etnologjia, gjeografia, historia e re dhe e drejta zakonore shqiptare, d.m.th. Kanuni.

Me vdekjen e tij, shumë vepra të rëndësishme të tij ngelën të pabotuara.

Ai gjithashtu ishte aktiv në fushën e politikës dhe shpesh herë ka qenë në kundërshtim të hapur me punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë.

Gjatë krizës së Aneksionit 1908-1909, Nopça mori pjesë në përgatitjen e ashtuquajturit Albanienaktion kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Para dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912, ai ndërhyri shpeshherë në politikën e jashtme të Austrisë dhe mori pjesë si vullnetar në Luftën e Parë Botërore në Shqipëri. Në vitin 1916, Nopça ishte komandanti i një njësie ushtarake të vullnetarëve shqiptarë.

Ky është debutimi i parë i Vishkës si regjisor i një filmi dokumentar, i cili është me kohëzgjatje prej 100 minutash. Ai kohëve të fundit si aktor në disa filma dhe seriale amerikane është paraqitur me role kryesore. (mia.mk)