Këshilli për Etikë në Media: Zgjedhjet, sfida më e madhe për etikën mediatike
Këshilli për Etikë në media shpalosi propozim-tekstin për kartën për raportin etik mbi zgjedhjet...

Në kohën kur gjendemi përpara zgjedhjeve, mediat në raportimin e tyre duhet të zbatojnë etikë dhe profesionalizëm dhe jo të jenë mjet i manipulimeve partiake, theksoi drejtoresha ekzekutive e këtij Këshilli, Marina Tuneva.
“Të gjithë e dimë se zgjedhjet paraqesin sfidë të madhe për mediat, duke i vënë ato në test për mënyrën e pavarësisë, profesionalizmit dhe mënyrës së përgatitjes së lajmit”- deklaroi drejtoresha ekzekutive e KEMM-së, Marina Tuneva.
Në bazë të punës njëvjeçare të këtij Këshilli është konstatuar se ueb portalet janë media të cilat janë më pak të profesionalizuara dhe nuk zbatojnë standardet e mirëfillta gazetareske, theksoi Mirçe Adamçevski.
“Praktika e deritanishme në punën tonë në Këshillin për Etikë tregon se ballafaqohemi me mungesë të profesionalizmit dhe me punë joetike. Mund të themi se deri më tani kemi mbi 70 ankesa, shumica për ueb portalet, por nuk përjashtohen edhe ankesa për Tv-të nacionale dhe gazetat ditore”- tha kryetari i Komisionit për Ankesa, Mirçe Adamçevski.
Parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit, parimi i ekuilibrit, parimi i ndershmërisë dhe neutralitetit, parimi i pavarësisë redaktuese dhe integritetit profesional janë disa nga parimet e propozim-tekstit për raport etik mbi zgjedhjet, të përpiluara nga Këshilli.
Ata kanë ftuar të gjitha mediat që të nënshkruajnë këtë propozim-tekst dhe t’i përgjigjen bashkëpunimit, me ç’rast theksuan se disa media tashmë janë përgjigjur për kooperim, ndërkaq javën e ardhshme do të mbyllet anëtarësimi, me çka edhe publikisht mediat do të nënshkruajnë këtë dokument. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
