Konferenca e Donatorëve për Sirinë sigurohen mbi 10 mld usd ndihma

05.02.2016 12:50

Konferenca e vendeve donatore, që po zhvillohet në Londër, ka arritur të sigurojë angazhimet e tyre për më shumë se 10 miliardë dollarë në favor të sirianëve të prekur nga konflikti civil 5 vjeçar...

6 miliardë dollarë janë premtuar vetëm për këtë vit, ndërkohë që 5 miliardë dollarë të tjerë priten të jepen gjatë viteve të ardhshme, deri në 2020.

Paratë do të përdoren për t’u ofruar miliona sirianëve ushqime, ndihmë mjekësore dhe strehim në mënyrë që t’u shpëtohet jeta. Refugjatët në vendet fqinje të Sirisë do të kenë më shumë akses në proceset e edukimit dhe punësimit. Por, mbledhja në Londër është errësuar disi nga pezullimi i bisedimeve të paqes në Gjenevë, si dhe luftimeve intensive në terren.

Një ofensivë e qeverisë siriane, e mbështetur nga sulmet ajrore ruse, është duke vazhduar në veri të Aleppos. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, deklaroi se rreth 70 mijë sirianë u janë larguar bombardimeve, duke lëvizur kryesisht drejt Turqisë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, lavdëroi mbledhjen e mbi 60 vendeve, duke e quajtur konferencën si “një sukses i madh”. “Kurrë më parë, komuniteti ndërkombëtar nuk ka ofruar kaq shumë para në një ditë të vetme për një krizë të vetme”, përfundoi deklaratën Ki-moon.