Luftëtarët e ISIS, Evropa kërcënohet nga 2 mijë të kthyerit
Kërcënimi terrorist në Evropë është në nivelin e tij më të lartë, pas kthimit të gati 2.000 luftëtarëve të huaj nga Siria e Iraku, një pjesë e të cilëve mund të jenë duke planifikuar sulme të reja...

Shqetësimin e ngriti për CNN një zyrtar amerikan, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Duke iu referuar të dhënave të fundit që disponojnë si evropianët ashtu dhe Uashingtoni, zyrtari në fjalë sqaron se shumë nga të kthyerit ndonëse jo të gjithë i janë bashkuar ISIS-it në kohën kur grupi terrorist shpalli kalifatin islamik, kanë vazhduar t’i qëndrojnë besnikë angazhimit të ndërmarrë ndaj tij.
Një pjesë e vogël u janë larguar të zhgënjyer xhihadistëve të dhunshëm. Nuk dihet me siguri sesa prej të kthyerve po thurin komplote për të sulmuar shënjestra në kontinentin e vjetër, megjithatë niveli i kanosjes nuk është aspak për t’u nënvlerësuar. I madh konsiderohet sidomos rreziku i infiltrimit të militanteve të ISIS-it mes refugjatëve që përpiqen të udhëtojnë drejt Italisë nga Afrika Veriore.
Uashingtoni gjithmonë e më shumë është duke e kthyer vëmendjen nga Libia, ku militantët e ISIS-it kanë nisur të krijojnë një lloj pavarësie dhe autoriteti për të urdhëruar sulme në Evropë, pa qenë nevoja për koordinimin ose aprovimin e veprimeve të veta nga krerët e “Shtetit Islamik” në Siri e Irak.
