Seferi: Kundër SEEU Tetovës kërkojmë tre pikët
Pas disfatës të pafat ndaj Zhelezarecit, lojtarët e klubit të futsallit Shkupi po përgatiten me shumë seriozitet për ndeshjen e rradhës kundër SEEU Tetovës...

Këta të fundit nuk i ngjajnë fare ekipit të vitit të kaluar kur shënonin rezultate mjaft të mira, gjë të cilën e dëshmon edhe pozita e tyre momentale në renditjen tabelare, pozitën e 11-të. Megjithatë edhe përkundër këtij fakti të përzgjedhurit e trajnerit Zoran Lekiq do të qasen njëjtë sikurse në të gjitha ndeshjet, për të kërkuar fitoren.
“Ata janë një ekip i ri dhe neve duhet ta marrim me shumë seriozitet këtë ndeshje. Dëshirojmë që të harrojmë atë disfatë jo të merituar nga Zhelezareci dhe të ju kthehemi fitoreve. Shpresojë se me një angazhim maksimal të gjithë ekipit do arrijmë të arkëtojmë tre pikë të reja” – tha top golashënuesi i Ligës së Parë në Futsall, Erkan Seferi.
Ndeshja e javës së 13-të në elitën e futsallit ndërmjet Shkupit dhe SEEU Tetovës zhvillohet të dielën në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen e Seravës me fillim në ora 17:00.
