Maqedoni

Ligji për mediat, Vanhaute: Nuk keni nevojë për ligje copy-paste

05.02.2016 14:54

Pas dështimit edhe të takimit të fundit në grupet e punës për Ligjin për mediat, partitë kanë vazhduar takime bilaterale për të diskutuar rreth propozimeve të vëna në tryezë...

Dje VMRO ishte e prerë. Sipas tyre, projektligji i propozuar nga LSDM është antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
 
VMRO propozon, madje, që në tryezë të vendoset çdo ligj i vendeve evropiane dhe LSDM le të zgjedhë se për cilin prej tyre përcaktohet.
 
Përgjigjja erdhi nga ndërmjetësi, Vanhaute, i cili tha se Maqedonia nuk ka nevojë për ligje copy–paste.
 
“Nuk është ide e mirë të kopjohet nga vendet evropiane dhe të merren ligjet prej tyre, sepse ju keni sistem të ndryshëm juridik, tjetër kushtetutë, tjetër mentalitet... Mediat e juaja nuk mund të krahasohen me mediat e vendeve të tjera. Prandaj, ju lutem që të përdorni atë që keni dhe ta përmirësoni atë”- deklaroi ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute.
 
LSDM, ndërkohë, nuk heq dorë nga propozimi i parashtruar në grupet e punës.  Sipas LSDM-së, nga një ligj që garanton lirinë e mediave kanë frikë vetëm ata që kanë thyer çdo bazë elementare të gazetarisë. 
 
Partitë shqiptare janë përqendruar kryesisht në mediat në gjuhën shqipe me kërkesat e tyre për ligjin e ri. Kërkesë e veçantë për RTVM-në është program i pandërprerë 24 orësh në kanalin televiziv dhe për Radio Shkupin.
 
Gjithashtu mbështetet financimi nga buxheti i servisit publik, përzgjedhja me konkurs e anëtarëve të këshillit drejtues që duhet të vijnë nga sfera e ekspertëve, si dhe një redaksi në gjuhën shqipe në Agjencinë Informative të Maqedonisë. Gjithashtu kërkohet që edhe Agjencia e Mediave të jetë institucion ku do të punojnë ekspertë të fushës, jashtë ndikimeve politike.
 
BESIM ABDULLAI