Botë

Vazhdojnë sulmet në Diarbakir, civilët kurdë luten që luftimeve t’u vijë fundi

05.02.2016 15:19

Pa ushqim, pa energji elektrike e pa ujë, 70 vjeçarja kurde, Azize Kalis, është vetëm një nga dhjetëra mijëra kurdë...

Pa ushqim, pa energji elektrike e pa ujë, 70 vjeçarja kurde, Azize Kalis, është vetëm një nga dhjetëra mijëra kurdë që kanë braktisur shtëpitë e tyre në Diarbakir, derisa zona është kthyer në fushëbetejë mes forcave turke dhe militantëve kurdë.
 
Ajo tani u lutet autoriteteve t’i japin fund luftës e t’u mundësojnë kthimin në shtëpitë që i braktisën dy muaj më parë. Njësoj si ajo është shpërngulur edhe Azize Filis. Bashkë me familjet e tjera, ato presin përfundimin e luftës për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
 
“Ne ikëm për të shpëtuar. Nuk kemi më asgjë. Po qëndrojmë te kushërinjtë tanë tanimë 2 muaj. Ne duam paqe, duam që lufta të mbarojë. Nuk duam më të na vdesin të rinjtë. Jetojmë në kushte të mjerueshme. Liderët tanë kurdë dhe liderët turq le të kenë pak mëshirë për ne popullin e thjeshtë. Çfarë kërkojnë nga ne? Ne duam vetëm paqe”- tha Azize Calis.
 
“Filluan bombardimet. Nuk durohej më dhe ne morëm fëmijët e u larguam në një pjesë tjetër të qytetit. Kur filluan edhe atje të bombardojnë, ne morëm një flamur të bardhë dhe dolëm në rrugë”- tha Azize Filiz.
 
Kryeministri Davutoglu thotë se paqja është e afërt. Davutoglu premton se jeta normale në Cizre dhe Sur, në Diarbakir, do të kthehet shumë shpejt.
 
“Jemi në përfundim të operacioneve tona në Cizre dhe Sur. Me vullnetin e Zotit, njerëzit do t’i kthehen shumë shpejt jetës normale këtu”- theksoi kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutogu.
 
Në Sur gjatë këtyre operacioneve janë vrarë 135 militantë, në Cizre jetën e kanë humbur 517 të tjerë, ka edhe mbi 200 ushtarë turq të vrarë.
 
Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se dhjetëra njerëz të lënduar gjenden në podrumet e shtëpive të tyre e nuk kanë mundësi të largohen. Sipas tyre, gjatë këtyre luftimeve jetën e kanë humbur 198 civilë, përfshirë edhe 39 fëmijë.
 
GAZMEND KURTISHI