Maqedoni

ShGM dhe SPGPM kundër idesë së LSDM-së: Vetërregullimi i mediave të futet në ligj

05.02.2016 15:34

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave kundërshtojnë idenë e LSDM-së për të vendosur në kornizë ligjore etikën e gazetarisë, me ç’rast do të parashikohen edhe gjoba të larta për shkeljen e etikës së gazetarisë.
 
Duke shprehur mospajtimin e tyre, ata vlerësojnë se kjo nuk ndihmon aspak në gjetjen e zgjidhjeve cilësore për reforma në media.                                                               
“Ritheksojmë se propozimi më i ri i LSDM-së në pjesët më të rëndësishme të tij dallohet nga propozimi i ndërmjetësit Vanhaute. LSDM propozimet e saj të këqija për mediat dëshiron t’ia atribuojë ndërmjetësit. Këto intriga të LSDM-së dëshmojnë qasjen e saj jo të sinqertë ndaj reformave në media. Fuqishëm kundërshtojmë idenë e LSDM-së që etika në gazetari të rregullohet me ligj. Të dënohen mediat me gjoba të larta për shkeljen e etikës, është praktikë jodemokratike”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
ShGM dhe SPGPM thonë se reagimi ka të bëj lidhur me atë që është dëgjuar në opinion, pasi nuk u është dorëzuar propozimi i LSDM-së, të cilën e ftojnë t’ua dorëzojë për të sqaruar se çfarë reforma mbështesin ata në negociatat me grupet e punës. Në rast se LSDM nuk e bën këtë, ata e thërrasin VMRO-DPMNE-në t’ua japë propozimin e LSDM-së për reforma në media.    
                                     
“Sipas informatave të prezantuara kohëve të fundit në media po fitohet  përshtypja se LSDM kërkon dhe mbështet sanksionimet e gazetarëve dhe të mediave për jorespektimin e standardeve profesionale. ShGM dhe SPGPM janë kategorikisht kundër kësaj dhe mendojnë se prekja e sistemit të vetërregullimit të mediave i takon profesionit e jo të tjerëve”- theksoi kryetarja e  SPGPM-së, Tamara Çaushidis.
 
ShGM dhe SPGPM mbështesin propozimet e Piter Vanhaute për reforma në media dhe janë për departizimin dhe depolitizimin e servisit publik dhe Agjencisë për Media, për ndalesën e reklamimit të punës së Qeverisë dhe për gjoba sa më të vogla për mediat.
 
REXHEP QAMILI