Maqedoni

"BE bisedime", debat: “Të rinjtë, kreatorë të vlerave evropiane”

05.02.2016 15:55

Në kuadër të projektit "BE bisedime", Sekretariati për Çështje Evropiane dhe organizatat rinore organizuan debatin me temë "Të rinjtë, kreatorë të vlerave evropiane në Maqedoni".

Ky është një cikël debatesh që do të realizohet me të rinjtë për të dëgjuar idetë e tyre kreative, sfidat dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre, theksoi zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
                                                          
“Ky cikël me të rinjtë ka të bëj të flasim hapur për ide kreative, duke parë përvojat e vendeve të Evropës se si rinia e shef të ardhmen e vet në RM dhe vlerat evropiane si të implementohen në mënyrë më të drejtë në RM dhe ato të krijojnë mundësi më të reja, duke pasur parasysh edhe sfidat me të cilat ballafaqohet rinia në RM, mundësitë e ndryshme siç vijnë si nga përkrahja e politikave të vendit ashtu edhe nga fondet evropiane që ndihmojnë rininë me projekte të ndryshme për avancimin e statusit të rinisë dhe ardhmërisë në RM”- deklaroi Fatmir Besimi nga Sekretariati për Çështje Evropiane.
 
Nga Këshilli Nacional i të Rinjve dhe Asociacioni për Iniciativa Demokratike vlerësojnë se kjo paraqet një mundësi të mirë për promovimin e vlerave evropiane të rinisë në Maqedoni. 
 
“Ne do shfaqim edhe interes si rini, e cila do të sjellë me anë të projekteve dhe aktiviteteve vlera të rinisë evropiane, e cila do të shpie drejt rrugës për integrimin evropian të RM-së”- theksoi Shkëndije Baftiu nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike.
 
“Vazhdimisht punojmë në procesin e pjesëmarrjes së rinisë, në procesin e sjelljes së vendimeve në nivel nacional dhe lokal, prandaj vlerësojmë se kjo paraqet një nga sferat kyçe, ku niveli i rinisë dhe kualiteti i jetës së tyre do të rritet në nivel të dinjitetshëm”- u tha nga Këshilli Nacional i të Rinjve.      
    
Iniciativa “BE bisedime” realizohet për rreth një viti, ndërsa debati i sotëm kishte për qëllim që të dëgjohet vizioni i rinisë për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.
 
GYLTENE SINANI