Maqedoni

Këshilli i Prokurorëve, shqyrtohet largimi i prokuroreve nga specialja

05.02.2016 16:33

Këshilli i Prokurorëve Publik ka konstatuar se Lejla Kadriu dhe Marija Gjorgjeva janë larguar nga Prokuroria Speciale...

Këshilli i Prokurorëve Publik ka konstatuar se Lejla Kadriu dhe Marija Gjorgjeva janë larguar nga Prokuroria Speciale në mënyrë të kundërligjshme dhe joprofesionale, duke u shkelur edhe Ligji mbi marrëdhëniet e punës.
 
Këtë e bëri të ditur pas mbledhjes dyorëshe kryetari i Këshillit, Petar Anevski, duke shtuar se në këtë rast nuk është zbatuar asnjë procedurë.
 
“Pas diskutimit të gjatë dhe pasi që kemi shqyrtuar deklaratat, erdhëm në përfundim se Katica Janeva në rastin konkret ka shkelur Ligjin për Prokurori Publike dhe Ligjin për marrëdhënie pune, pasi që pa zbatuar asnjë procedurë dhe pa miratuar asnjë vendim i ka larguar nga vendet e punës, më saktësisht brutalisht janë përjashtuar nga zyrat e tyre. Gjithashtu këshilli konkludoi lidhur me sqarimin me shkrim se ata me vetëdëshirë janë larguar. Kjo nuk është e vërtetë dhe për këtë janë kategorike dy prokuroret”- deklaroi kryetari Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
 
Këshilli, siç tha Anevski, në mbledhjen e radhës do të vendosë për statusin e prokuroreve, Lejla Kadriu dhe Marija Gjorgjeva, dhe angazhimin e tyre të mëtejmë. 
 
Ndryshe, prokurorja speciale, Katica Janeva, ditë më parë është deklaruar para Këshillit të Prokurorëve për largimin e dy prokuroreve, duke sqaruar se për ta mbaruar punën që e pret, Prokurorisë Publike Speciale i mjaftojnë 10 prokurorë.
 
NAIM RAMADANI