Maqedoni
Kriza e migrantëve, 80 autobusë në Polikastro presin të hyjnë në RM
05.02.2016 16:46
Mijëra klandestinë kanë mbetur të bllokuar në afërsi të kufirit që ndan Greqinë me Maqedoninë disa ditë pasi u nisën në këmbë përgjatë autostradës së madhe greke drejt veriut të Maqedonisë...

Të paktën 80 autobusë me emigrantë, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, të ikur nga lufta e Sirisë, janë parkuar në një pikë karburanti në afërsi të Polikastros, në jug të kufirit greko-maqedonas. Migrantët ankohen për ritmin e ngadaltë të kalimit të kufirit, ankohen se nuk kanë ushqim dhe vend strehimi.
“Askush nuk na ka thënë edhe sa do të presim. Kur të na thonë mund të shkojmë. Tani për tani vetëm po rimë këtu e po presim”- deklaroi një refugjat nga Afganistani.
Qeveria e Maqedonisë ka prezantuar masa të reja për të rritur sigurinë e kufirit me Greqinë dhe tani kërkohet që të gjithë refugjatët që hyjnë në vend t’i nënshtrohen një interviste prej 30 minutash në kufi për të provuar kombësinë e tyre.
Maqedonia po lejon kalimin e migrantëve në grupe të vogla dhe vetëm me autobusë dhe trena drejt Serbisë, duke përjashtuar shërbimin taksi me argumentin se taksistët kanë rritur shërbimet nga 100 euro në 250 për migrantët.
Pas këtij vendimi të qeverisë, taksitë bllokuan për tre ditë linjën hekurudhore dhe disa rrugë në shenjë proteste kundër qeverisë.
GAZMEND REXHEPI
